Zbulohen detaje të reja nga vrasja e trefishtë në fshatin Xibër të Klosit, ngjarje e cila tronditi mbarë opinionin publik ditën e sotme. Sipas policisë rreth orës 14:24 minuta të mesditës së sotme Sali Dakuci ka qëlluar me armë kushëririn e tij të parë, Kujtim Dakuci dhe djalin e tij, Flogert Dakuci.
Babë e bir, Kujtim Dakuci 52 vjeç, Flogerti 19 vjeç, kanë ndërruar jetë gjatë transportimit. Ndërsa autori Sali Dakuci 55 vjeç është vetëvrarë.
Sipas burimeve, mollë sherri mes dy vëllezërve dyshohet se ka qenë një gardh, ndonëse ky fakt nuk është konfirmuar ende nga organet e hetimit.
Ndërkohë konfirmohet se, vrasja ka ndodhur për çështje pronësie, ku vëllai ka qëlluar me breshëri plumbash vëllanë e tij, i cili është shtrirë në tokë i mbuluar në gjak.
Menjëherë pas ngjarjes, pasi djali 19-vjeçar ka parë babanë e tij në tokë, ka ndërhyrë për t’i dhënë ndihmë, por është qëlluar edhe ai nga xhaxhai.
Mësohet gjithashtu se, babë e bir nuk kanë ndërruar jetë në vendngjarje, por për shkak të largësisë mes banesës dhe spitalit të qytetit, ata kanë ndërruar jetë gjatë transportimit.
Më pas, autori, pasi ka marrë vesh humbjen e dy jetëve, ka vendosur të vetëvritet.
Viktimat janë, Kujtim Dakuci 52 vjeç, i biri i tij, Flogerti 19 vjeç, ndërsa autori dhe viktima e tretë Sali Dakuci 55 vjeç.