Fatin e Ramës nuk mund ta ndryshojë dot më askush

Nga Red VARAKU

Menjëherë pas turpit të 30 Qershorit, Edi Rama po përballet me një ofensivë të paprecedentë nga faktori perëndimor, i cili pas radiografisë së ashpër të BILD dhe skanerit të OSBE / ODHIR, e ka të qartë që demokracia shqiptare ka nevojë për një ndërhyrje radikale. Natyrisht bisturia e perëndimorëve nënkupton eleminimin tërësor të qelizave kancerogjene të metastazave të rilindjes që janë shtrirë kudo në çdo qelizë të shoqërisë.

Faktori ndërkombëtar duket shumë i ndërgjegjësuar për pasojat e rënda të bashkëpunimit me krimin e organizuar të politikave të kësaj qeverie mbi demokracinë e brishtë shqiptare. Kjo kryqëzatë synon rikthimin e timonit drejt perëndimit si dhe rikthimin e vendit në shinat e demokracisë.

Ky angazhim lidhet me faktin se situata e krijuar për shkak të marrjes së pushtetit me banda, korrupsionit, papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së këtij kryeministri, jo vetëm që nuk mund të vazhdojë më kështu, por mund të degradojë nga dita në ditë në konflikt civil dhe ata e dinë që ndërhyrja me vonesë më pas, nuk do të kishte asnjë vlerë.

Ka të dhëna të shumta, që kriza sa vjen dhe po përkeqësohet me shpejtësi. Ajo ka paralizuar krejtësisht jetën e shqiptarëve, ndaj presioni ndërkombëtar është rritur, si e vetmja garanci për mosrrëshkitjen e vendit drejt kaosit.

Kryqëzata perëndimore filloi menjëherë pas raportit fillestar të OSBE/ ODHIR, më pas me shpalljen non-grata të numrit dy të PS, z. Dako, pastaj z. Rama u thirr në Berlin nga Kancelarja Merkel për të dhënë llogari, prej nga ku doli duke u dridhur dhe gati me lot në sy. Më pas kemi nëntë shigjetat e BUNDESTAGUT, që në fakt shkojnë drejt e në zemër të kuçedrës së krimit, që ka paralizuar demokracinë shqiptare. Ndërkohë draft-raporti i Venecias ia njeh të drejtën kushtetuese Presidentit për të shtyrë zgjedhjet, duke hedhur kështu poshtë ligjshmërinë 30 Qeshorit.

I gjendur përballë breshërisë së Washingtonit dhe Berlinit, i rrënuar politikisht dhe krejtësisht i dështuar, Edi Rama tashmë është gati të pranojë çdo kompromis për të dalë nga kjo situatë, sepse ai e di që kjo situatë është vetëm pasojë e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së tij.

Nëse Shqipërisë i refuzohet edhe hapja formale e negociatave, siç edhe është paralajmëruar nga ministri i jashtëm i qeverisë Hollandeze z. Blok, ai e di që nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç dorëheqjes së menjëhershme dhe zgjedhjeve të parakohshme. Edhe pse me papërgjegjshmërinë që e karakterizon , ka deklaruar që nuk mban asnjë përgjegjësi për dështimet e tij, fatmirësisht kjo nuk varet më prej tij. Ai tashmë i ka marrë udhëzimet se si do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Por ,edhe nëse ato hapen formalisht kushtet e Berlinit të cilave po i bashkangjitet edhe Parisi janë thjesht një mënyrë për të dorëzuar pushtetin me procedurë.Jo më kot partnerët ndërkombëtarë e nisën me një recetë gjermane që e sulmon sëmundjen në mënyrë agresive dhe radikale.

Reforma zgjedhore është e domosdoshme për zgjedhje të lira, përfaqësuese dhe demokratike. Nuk mund të ketë zgjedhje pa një reformë zgjedhore të dakortësuar.Vetëm se, fatmirësisht për shqiptarët dhe fatkeqësisht për Ramën, plotësimi i këtij kushti sipas Bundestag, mund të provohet vetëm në zgjedhje të parakohshme.

Gjithashtu, formimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, jo vetëm rikthen balancën e pushteteve, por jep edhe verdiktin për ligjshmerinë e 30 qershorit, që me siguri do ta anulojë, ndryshe ç’kuptim do të kishte sqarimi i ligjshmërisë . Vetëm nëse do të kemi një vendim te Gjykatës Kushtetuese brenda afateve atëherë mund të kemi zgjedhje të përgjithshme dhe zgjedhje lokale në të njëjtën ditë.

Ndërtimi i SPAK do të thotë fillimi konkret i funksionimit të reformës në drejtësi,rezultate konkrete të luftës kundër korrupsionit. Është e qartë që SPAK-un deri tani e ka penguar vetëm z. Rama, por tashmë nuk e ndal dot më askush. Eliminimi i establishmentit të korruptuar politik 30 vjeçar është një domosdoshmëri për të lënë pas tranzicionin e gjatë Shqiptar. Ndërsa arrestimi i njerezve të perfshirë ne krim elektoral ku jane te përfshirë praktikisht e gjithë elita e PS, nënkupton humbjen e zgjedhjeve, sepse praktikisht bie e gjithe PS ne burg dhe eliminohet krejtësisht aparati i vjedhjes se zgjedhjeve, aq shume i perfolur.

Ajo që ai nuk kupton, është që tashmë ai është thjesht një kryeministër në detyrë dhe se tani nuk ka më asnjë rëndësi se çfarë mendon ai. Ai nuk është më i aftë për të penguar fatin e tij të turpshëm dhe të dhimbshëm. Ai nuk ka më, asnjë mbështetje ndërkombëtare, sado bukur të dalë në për fotografi me ta, ndërkohë kriza ekonomike në vend është ndër më të rëndat pas 1997.

E vetmja gjë që ka në dorë tani ende Edi Rama, është të pranojë dështimin spektakolar dhe të largohet sigurisht si kryeministri më i dështuar që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Shqipëria nuk ka rrugë tjetër vetëm se të fillojë terapinë e fortë gjermane, që në fakt është vrastar për Ramën dhe mikrobet e tjera përreth tij. Largimi i tij tashmë është vendosur dhe vulosur në Washington dhe Berlin dhe sa më shpejt të largohet, aq më mirë për të dhe për vendin.

 

Artikulli paraprakZagani i dërgon Ramës videon e trafikut të drogës, ai e kërcënon: Ik e mos e përdor më këtë numër se…
Artikulli tjetërBasha: Planin për daljen nga kriza ja kemi dorëzuar Edi Ramës, nëse nuk është i zoti ta zbatojë, të hapë krahun dhe të ikë!