Ylli i Ajax: Nuk do t’i bashkohem Real Madridit në janar

Mesfushori i Ajaxit, Donny van de Beek, ka këmbëngulur se nuk do t’i bashkohet Real Madridit në afatin kalimtar të janarit, duke theksuar se nuk dëshiron të largohet nga klubi holandez midis sezonit.

Për 22-vjeçarin është përfolur vazhdimisht se do të kalojë në kryeqytetin spanjoll. Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, refuzoi të përgjigjej në pyetjen nëse klubi do të tentojë ta transferojë holandezin në janar, duke i nxitur edhe më shumë spekulimet.

Van de Beek, i cili shënoi në fitoren e Ajaxit 3:0 kundër Valencias të mërkurën në Ligën e Kampionëve, ishte afër kalimit në Madrid gjatë verës, kur edhe e kishte pranuar se klubi i tij dhe gjiganti spanjoll ishin në bisedime për të.

Por, pasi marrëveshja nuk ishte arritur, përfaqësuesi holandez mbeti në Ajax, ku është i vendosur ta kalojë tërë sezonin aktual dhe jo të largohet midis tij.

“Nuk dua të largohem gjatë afatit kalimtar dimëror”, tha Van de Beek për VI.

“Do të luaj këtu tërë sezonin, dua ta mbyll vitin me Ajaxin. Kjo më jep qartësi dhe qetësi. Shohim se çfarë ndodh më pas”, shtoi ai.

 

Artikulli paraprakConte: Interi e meritoi fitoren më shumë se Barcelona
Artikulli tjetërKlopp: Salzburg i dha mësim të rëndësishëm Liverpoolit