Prokuroria u bllokon depozitat 500 mijë euro dy shtetasve suedezë

Prokuroria e Tiranës ka sekuestrur 500 mijë euro të dy shtetasve suedezë, shumë e dyshuar se buron nga aktivitet kriminal. Referimi në Prokurori është bërë nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, e cila ka dyshime se Ove Oskar Johansen dhe Joo Borge Nilsen po pastrojnë para në vendin tonë. Vendimi për sekuestron është marrë javën e shkuar pas dyshimeve për pastrim parash nga dy shtetasit suedez në vendin tonë.
Paratë janë bllokuar në dy llogari bankare, njëra 300 mijë euro dhe tjera 200 mijë euro. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se paratë silleshin në Shqipëri nga Finlanda, përmes transaksioneve në Kosovë dhe Serbi. Për këtë arsye Prokuroria e Tiranës ka nisur disa lëtër porosi në këto vende, për të parë nëse dy suedezët i justifikojnë këto shuma parash.
Prokuroria ka dyshime se këto para do të riktheheshin në Suedi, pasi do të justifikoheshin me ngritjen e bizneseve fiktive në vendin tonë. Deri në mbërritjen e këtyre informacioneve, shuma prej 500 mijë eurosh do të qëndrojë e bllokuar.
Ndërkohë, dy suedezët mësohet se kanë dorëzuar në Gjykatën e Tiranës një kërkesë, ku kërkojnë zhbllokimin e llogarive bankare. Ata argumetojnë se paratë janë të ligjshme dhe do t’i investojnë në Shqipëri. Para hetuesve, dy suedezët kanë deklaruar se paratë i kanë transferuar në Shqipëri në dy llogari të ndryshme bankare me vlerën e 200 dhe 300 mijë eurove për të hapur biznes. Ky deklarim nuk ka bindur hetuesit dhe deri në verifikimin e burimit financiar, këto para do të qëndrojnë nën sekuestro preventive.

Artikulli paraprakS’ka kthim prone, por shitje me ankand
Artikulli tjetërPërfaqësues të OSBE-së në Bashkinë Kamëz për rehabilitimin e lumit Ishëm