Pelosi nuk lejon Kongresin të votojë nëse duhet të hetohet Trump, reagon Shtëpia e Bardhë

Presidenti Donald Trump tha të premten se Shtëpia e Bardhë po përgatit një letër drejtuar kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi ku pritet të kundërshtojë zyrtarisht nisjen e hetimit që po kryejnë demokratët për shkarkimin e tij, pa marrë më parë miratimin me votë të kësaj Dhome.

Në letër pritet të thuhet se administrata nuk do të bashkëpunojë me hetimin pa këtë votim, që sipas zotit Trump nëse do të kishte ndodhur, do të kishte marrë mbështetjen e Dhomës së Përfaqësuesve.

Zoti Trump pranoi se demokratët “i kanë votat” në Dhomën e Përfaqësuesve për të nisur zyrtarisht procesin e hetimit, por tha se është i sigurt se ata nuk i kanë votat në Senatin e kontrolluar nga republikanët.

Presidenti tha se beson se këto veprime do t’u kushtojnë politikisht demokratëve.
“Besoj vërtet se ata do të paguajnë një çmim të madh gjatë procesit zgjedhor”, tha ai.

Pak ditë më parë ndërsa njoftoi se Dhoma e Përfaqësuesve do të niste hetimin për shkarkimin e zotit Trump, zonja Pelosi nuk foli për një votim të kësaj dhome mbi këtë çështje, sikurse ka ndodhur gjatë hetimeve për ngritjen e akuzave ndaj ish-Presidentëve Richard Nixon dhe Bill Clinton.

Për republikanët, të cilët kërkojnë një përgjigje të shpejtë në lidhje me hetimin, mungesa e hapit procedural ka qenë linja kryesore e sulmit ndaj demokratëve.

Zonja Pelosi e ka kundërshtuar atë si të panevojshëm, duke thënë se Dhoma e Përfaqësuesve është në përputhje me rregulloren për sa i takon fillimit të këtij procesi.

Ndërkohë tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve kanë publikuar me dhjetëra mesazhe telefonike të shkëmbyera mes diplomatëve amerikanë në Ukrainë ku diskutojnë se si të trajtohet një përgjigje ndaj kërkesës së Presidentit Donald Trump që vendi të nisë një hetim mbi familjen e Joe Biden-it.

Publikimi pason një intervistë gati 10-orëshe me ish të dërguarin amerikan në Ukrainë Kurt Volker. Ishte ky i fundit që u dha mesazhet telefonike ligjvënësve të këtyre komisioneve.

Në mesazhe zoti Volker dhe dy diplomatë të tjerë diskutojnë se si t’u “qasen” kërkesave të zotit Trump për hetimin e kundërshtarit të tij politik.

Në një mesazh të shkëmbyer mes zotit Volker dhe ambasadorit Gordon Sondland diskutohet një projekt-deklaratë sipas së cilës qeveria e Ukrainës do të shpallte një hetim mbi zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe rreth një kompanie, në të cilën ka shërbyer si anëtar bordi djali i zotit Biden, Hunter Biden.

Presioni i dyshuar që zoti Trump ka ushtruar mbi Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy është subjekt i hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit Trump.
“VOA”

Artikulli paraprakKush tha që lojrat e fatit janë mbyllur? Endri Prifti: Humba 50 milionë lekë në dy ditë në Tiranë
Artikulli tjetërRama shpërblen kunatën prokurore të Arben Keshit për të mbyllur dosjen 184