Ish-deputeti i PD, Gent Strazimiri ka reaguar pas letrës që ministret e qeverisë Rama i kanë nisur Holandës, një prej shteteve anëtarë në BE, që është kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke përmendur “forcat e errëta” që po përpiqen të ndalin dhe të zbehin “shkëlqimin” e vendit falë qeverisjes së Rilindjes.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, përveç se krahason Ramën me Ramiz Alinë, i cili gjithashtu përmendte termin “forca të errëta” në vitin 1991, ish-deputeti përmend edhe deputetët apo kryebashkiakët rilindas, të cilët në CV-të e tyre kanë një seri veprash të rënda kriminale.
Postimi i Strazimirit
Se mos keqkuptoheni me moskeqkuptime:
Kur këto “shoqet” thonë “Forcat e errëta që punojnë kundër Shqipërisë”, nuk e kanë për “forcat” që vazhdojnë të kandidojnë tutorë prostitutash, vrasës e narko-trafikantë si deputetë dhe kryebashkiakë; as për “forcat” që kanabizuan dhe kokainizuan vendin, përmes Ministrave të Brendshëm të kapur në flagrancë me narko-trafikantët; as për “forcat” që shqiptarët i kthyen në azil-kërkuesit më të shumtë në Evropë; as për vetë kolegët e tyre narko-tutorë që në vetvete janë forcë…JO!
E kanë ekzaktësisht për të njëjtat forca dhe individë, që Ramiz Alia i quante po ashtu “forca të errëta” në 1991!