Në Kosovë, autoritetet ndërprenë të dielën procesin e verifikimit të votave të dërguara me postë nga Serbia, pasi që një numër i zyrtarëve që ishin në kontakt me zarfet e hapura shfaqën shenja alergjie.
Besnik Buzhala nga Divizioni i shërbimit të votuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se “tek disa zyrtarë u shfaqën disa shenja alergjie në fytyrë dhe duar. Tash janë duke u bërë kontrollet”, tha ai.
Policia e Kosovës ka rrethuar hapësirën e ndërtesës së ministrisë së Infrastrukturës në qendër të Prishtinës ku është vendosur shërbimi votues. Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha i tha Zërit të Amerikës se “policia është duke e trajtuar rastin”, ndërsa në vendin e ngjarjes janë edhe zyrtarët e prokurorisë së posaçme.
Në kohën e hapjes së zarfeve në mjediset ku po kryhet verifikimi ndodheshin 26 zyrtare, disa prej të cilëve janë shtruar për trajtim në Klinikën Infektive të spitaleve të Prishtinës.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës tha se ka pranuar nëntë paciente, “me kruarje të duarve të intensitetit të ultë. Dy nga to kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë.
Te të gjitha rastet nuk ka pasur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile. Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese.
Ekipet kujdestare të Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i hospitalizuar dhe duke u ofruar ndihmën e duhur mjekësore”,thuhet në komunikatën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Votat nga Serbia janë pjesë e votimeve me postë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.
Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi dhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, thanë se zhvillimet e sotme në Prishtinë janë “shfaqje” me të cilën siç thuhet, “është duke u përgatitur manipulim me votat e serbëve, me qëllim që me çdo kusht në parlamentin Kosovës, pavarësisht vullnetit të serbëve, të futen ‘serbët e Kurtit’”, duke ju referuar përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës që morën pjesë në zgjedhje kundër dëshirës së Beogradit.