Viti i ri akademik 2019-2020 nis me rënie të numrit të studentëve të regjistruar. Me dhjetëra degë studimi janë mbyllur për shkak të pamjaftueshmërisë së studentëve, që në disa raste kanë braktisur plotësisht disa profile.
Bëhet e ditur se, në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan, janë mbyllur plot 11 degë studimi, që janë: Filozofi-Sociologji, Matematike-Informatike, Fizike-Kompjuterike, Gjuhe Shqipe dhe Rome, Edukim qytetar, Gjuhe Frënge, Gjuhe Italiane, Gjuhe gjermane, Gjeografi dhe gjuhe Italiane, Histori dhe Gjuhe Gjermane dhe Histori Gjeografi. Ndërkohë, janë regjistruar 1499 studentë nga 3079 kuota të lira.
Ndërsa, në Universitetin ‘Eqerem Çabej’ në Gjirokastër, në ceremoninë e hapjes të vitit akademik, prefekti Astrit Alia deklaroi se ky vit akademik ka shënuar rënie të regjistrimeve të studentëve.
Situata paraqitet e njëjtë edhe në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’, në Shkodër. Viti i ri akademik në Shkodër ka nisur jo me pak probleme. Në raundin e parë, në degën e fizikës ka pasur “zero” regjistrime, çka mund të çojë edhe në mbylljen e kësaj dege.
Në një deklaratë për mediet për këto çështje, rektori i Universitetit, Adem Bekteshi tha se edhe në degët e mësuesisë ka pasur shumë pak regjistrime, kjo për shkak të rritjes së mesatares dhe një politike të re nga qeveria për ata që priten të edukojnë brezin e ri. Ndërkohë, bëri të ditur se në nivelin Bachelor janë regjistruar për herë të parë 910 studentë.