Rama i fsheh Prokurorisë vrasjen e kryer nga Shullazi

Zbulohet një vrasje e kryer nga Emiliano Shullazi, por provat janë fshehur nga zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Skandali është denoncuar nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Oficeri dixhital denoncon: Edvin Shullazin që fsheh provat laboratorike të pjesëmarrjes në një vrasje të Milit të Partisë!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e qytetarit dixhital.
“Përshëndetje Doktor, para rreth 4-5 javëve, nga eksperiza shkencore e bërë në laboratorin e Ministrisë së Brendshme doli me prova të pakundërshtueshme laboratorike, biologjike se Emiliano Shullazi ishte pjesëmarrës direkt në një vrasje të disa viteve më parë. Rezultati i kësaj ekspertize, me urdhër të Ramës, nuk i është dorëzuar Prokurorisë, por prej asaj kohe mbahet i ndryrë në kasafortën e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, njeriut më të besuar të Shullazit në Policinë e Shtetit, Ardian Çipës, i cili thuhet se së bashku me Saje qorrin e takojnë herë pas here Milin në qeli!”, shkruan qytetari në mesazhin dërguar ish-Kryeministrit Berisha.
Berisha i bën thirrje Prokurorisë për nisjen e hetimeve dhe të verë para ligjit për fshehje të provave bashkëpunëtorin me uniformë. “I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të vendosë para ligjit bashkëpunëtorin me uniformë të Shullazit për fshehje të vrasjes nga ky i fundit! sb”, shkruan Berisha.
Po ashtu, Prokuroria ka ngritur dyshime se Emiljano Shullazi është një nga ekzekutorët e Gazmend Çollakut. Bëhet e ditur se, prokurorët që po hetojnë vrasjen e Gazmend Çollakut kanë kërkuar që Shullazit t’i merret një kampion gjaku për t’u analizuar. Ekspertët mjeko-ligjorë do të krahasojnë ADN-në e Shullazit me ADN-në e gjakut që u gjet në makinën e ish-policit Ervin Dalipaj. Me këtë makinë u mor peng Gazmend Çollaku, rreth 6 muaj më parë.
Para se të ekzekutohej në Murqan të Krujës, viktima u lidh dhe u keqtrajtua. Në makinë u gjetën edhe njolla gjaku që mendohet se i përkisnin pengmarrësve. ADN do të krahasohet, pasi hetuesit dyshojnë se Emiljano Shullazi ishte në makinën e pengmarrësve. Për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës mbahet në qeli Denis Shtraza, i dyshuar si njëri nga rrëmbyesit.
Shullazi u arrestua në mesin e muajit prill të këtij viti, pas terrorit dhe kërcënimeve ndaj profesorit Mynyr Koni dhe rektorit Dhori Kule, për t’u tërhequr nga gara për Rektor të Universitetit të Tiranës në mënyrë që t’i hapej rrugë kandidates së Ramës, Klodeta Dibra. Denoncimi për kërcënimin u bë nga ish-kryeministri Berisha më 16 prill të këtij viti, teksa po zhvillohej fushata për zgjedhjet universitare. Aktualisht, Shullazi, kushëriri i tij Blerimi si dhe Gilmando Dani, janë prapa hekurave të akuzuar për gjobvënie dhe disa vepra penale.
Burime pranë organit të akuzës kanë bërë të ditur se, Emiljano Shullazi është i dyshuari për 6 vepra penale, më e rënda pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal e më pas gjobvënie, trafik droge, shkatërrim prone me eksploziv, kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.
Prokuroria thotë se, ka të dhëna se Shullazi bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar kanë kërcënuar për t’ju marrë pasurinë 4 biznesmenëve të njohur. Po sipas Prokurorisë, të tre të ndaluarit po bëjnë përpjekje të privatizojnë Parkun Sportiv në Durrës. Përmes kanosjes dhe dhunës fizike, sipas organit të akuzës, të dyshuarit kanë regjistruar ish-hotel “Vollgën”, e meqenëse prona në fjalë kishte probleme me dokumentacionin, dyshohet se është ushtruar dhunë edhe ndaj kryeregjistruesit të Durrësit dhe dy punonjësve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Durrës e Tiranë. Me të njëjtën metodë, dyshohet se Shullazi me dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përfituar edhe një pronë tjetër në kryeqytet për të cilën po hetohet.
Hetimet e kryera nga Prokuroria kanë zbuluar se, banda e Emiljano Shullazit rezulton me aktivitete kriminale në disa rrethe të vendit. Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkon të gjitha dosjet, ku është përmendur emri i të dyshuarit vitet e fundit.

R.POLISI

Artikulli paraprak50 mijë euro një vendim, në kërkim burri i gjyqtares
Artikulli tjetërPlantacionet e drogës të Saimir Tahirit në të gjithë vendin