Ish-deputeti demokrat Genc Pollo ka komentuar mbledhjen e djeshme të ministrave të jashtëm të BE dhe mungesën e një vendimi në parim për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Sipas tij, dje pati një shumicë që Maqedonia e Veriut të shkëputej nga Shqipëria e të merrte çeljen e negociatave pa kushte.
Pollo thotë se Shkupi nuk vuan nga problemet e shkaktuara nga qeveria Rama dhe luan kartën e marrëveshjeve normalizuese me Athinën e Sofjen, ndërkohë që karta e Tiranës thekson ai, reforma në drejtësi, po humbet kallajin.
Pollo shkruan se ka dhe shans për një vendim pozitiv nga shefat e qeverive të Bashkimit Europian të enjten më 17 tetor; por ky shans duket minimal.
MESAZHI I GENC POLLOS
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian të mbledhur dje në Luksemburg (Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme/General Affairs Council/GAC) përsëri nuk morën dot në parim vendimin e çeljes së negociatave me Shqipërinë me gjithë kushtet e përcaktuara nga Gjermania të cilat, sipas konceptit të miratuar në Bundestag, do të duhej të përmbusheshin nga qeveria në periudhën nga çelja në parim deri në fillimin faktik të negociatave.
Kjo periudhë zgjat të paktën një vit. Shtete të tjera sugjerojnë shtimin e kushteve kurse ato që quhen skeptike ngrenë pyetje pse qeveria nuk i ka plotësuar këto kushte?
Kushte të cilat nuk janë të reja dhe u përcaktuan nga Këshilli së fundmi para një viti (qershor 2018) por edhe fillimisht para dy vjetësh (dhjetor 2016). Këto kushte mbulojnë zgjedhjet e lira, funksionimin normal të gjyqësorit, krimin e organizuar/narkotrafikun e korrupsionin e lartë.
Në Këshill, ku vendimet merret me unanimitet, dje pati një shumicë që Maqedonia V. të shkëputej nga Shqipëria e të merrte çeljen e negociatave pa kushte. Shkupi nuk vuan nga problemet e shkaktuara nga qeveria Rama dhe luan kartën e marrëveshjeve normalizuese me Athinën e Sofjen.
Ndërkohë karta e Tiranës, reforma në drejtësi, po humbet kallajin: pasojat anësore si mungesa e gjykatave supreme janë kthyer në një kusht zyrtar; ndërsa kapja nga ana e klanit rilindist e vetingut dhe e institucioneve të reja po del përditë e më shumë në pah.
Ka dhe shans për një vendim pozitiv nga shefat e qeverive të Bashkimit Europian të enjten më 17 tetor; por ky shans duket minimal. Dhe me sa duket minimal ose zero do të mbetet për sa kohë të durojmë një qeveri kleptokratike dhe në thelb anti europiane. GP
P. S. Më poshtë lexoni kushtet e Bundestagut gjerman të cilat përmbledhin edhe ato të Këshillit Europian.
Bundestagu gjithashtu i kërkon Qeverisë Federale që,
1. Në Këshillin e Evropës më datë 17/18 Tetor 2019 të miratohen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë parimisht vetëm me kushtin, që
a) Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:
– Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar.
– Të merret vendim për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019.
b) Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave përmes kapitujve të parë të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:
– Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar
– Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;
– Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve,
– Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj për të punuar
– Progres solid në krjimin e bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe proçedimet e para të përfunduara kundër nënpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar,
– Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e parregullsive,
– Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor,
2. të sigurojë, që kuadri i negociatave të ndërtohet në mënyrë të tillë që të sigurohet një vazhdim konsekuent i kursit të reformës dhe mbi të gjitha zbatimi i reformave të miratuara nga Shqipëria.
Nëse pas hapjes së negociatave të pranimit, Shqipëria vonon, pezullon ose tërheq përmbushjen e detyrimeve, atëherë negociatat e pranimit duhet të ndalojnë dhe në rast dyshimi, të ndërpriten. Hapja dhe mbyllja e kapitujve individualë të negociatave duhet të varen nga kritere të qarta;
3. të qartësojë se Shqipëria duhet të bëjë ende përpjekje të tjera të konsiderueshme për të përmbushur kriteret e pranimit, veçanërisht në fushat
– Sundimi i ligjit, kjo do të thotë vazhdimi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (proçesi i vetingut), krijimi i strukturave të reja të drejtësisë,
– Luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë forcimin dhe lidhjen e institucioneve në rrjet, si dhe krijimin e bilanci suksesi në të gjitha nivelet dhe zbulimin dhe konfiskimin e fondeve financiare në lidhje me korrupsionin;
4. të sigurojë që Komisioni dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm të informojnë rregullisht për përparimin e reformave gjatë negociatave të pranimit, veçanërisht në këto fusha kyçe;
Të sigurojë që shtjellimi i ketyre kapitujve (para së gjithash kapitulli 23 Gjyqësori dhe Të Drejtat Themelore, kapitulli 24 Drejtësia, Liria dhe Siguria) të kryhet në fillim të negociatave dhe ato të mbyllen vetëm në fund të negociatave.
Planet e veprimit për këto kapituj të propozuar nga Komisioni duhet të përcaktojnë afate dhe synime të qarta, përmbushja e të cilave përbën një parakusht për hapjen e kapitujve të rinj; kapitujt e tjerë të negociatave nuk duhet të hapen më parë.
Komisioni duhet të raportojë rregullisht për zbatimin e planeve të veprimit, përveç progres raporteve vjetore. Hapja dhe mbyllja e kapitujve të tjerë duhet të varen nga përparimi thelbësor në këto fusha.
Bundestagu rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtën e tij të përgjithshme për të komentuar në përputhje me ligjin federal mbi bashkëpunimin e Qeverise Federale me Bundestagun gjerman për çështjet e BE-së nëse ai konkludon se kushtet për hapjen e kapitujve të negociatave nuk janë përmbushur;
5. Të sigurojë, që temat
– Institucione demokratike funksionale,
– Reforma në administratën publike,
– zhvillimi ekonomik dhe aftësia konkuruese,
– fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal,
– liria e shtypit dhe e medias,
– të drejtat e grupeve më vulnerabël dhe anëtarëve të pakicave,
– shoqëri civile active
– të pasqyrojnë pikat thelbësore të negociatave të anëtarësimit.
6. të sigurojë që Shqipëria të përmbushë plotësisht kriteret politike dhe ekonomike në rast anëtarësimi. Përmbushja e rreptë e kritereve të Kopenhagenit mbetet parakusht për anëtarësimin. Nuk duhet të ketë anëtarësim automatik, për shembull duke përmendur një datë pranimi përpara përfundimit të negociatave;
7. të angazhohet që në përshtatjen me aktin komunitar (acquis communautaire) të arrihen sa më pak rregulla të përkohshme dhe përjashtime; Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në BE dhe duhet të pranojë që Acquis të mos zbehet nga negociatat;
8. të angazhohet që Shqipëria gjatë procesit të negociatave t‘i nënshtrohet dispozitave të Paktit Evropian të Stabilitetit dhe të Rritjes dhe ajo të respektojë kriteret e Stabilitetit të Traktatit të Mastrihtit përpara se të mund të bashkohej zyrtarisht në bashkimin monetar pas një anetarësimi të mundshëm;
9. Të informojë në vazhdim Bundestagun gjerman në përputhje me nenin 3 deri 6 të ligjit federal mbi bashkëpunimin e Qeverise Federale me Bundestagun gjerman në çështjet e BE-së mbi përparimin e negociatave të pranimit dhe gjithashtu të qartësojë pozicionin e saj. Progresi në rrugën e pranimit nuk duhet të vlerësohet vetëm nga Komisioni, por edhe rregullisht nga Qeveria Federale duke përfshirë këtu përfaqësitë e saj diplomatike.