Dështojnë përfundimisht negociatat për çështjen e zgjerimit në samitin e BE në Bruksel. Sipas EurActiv, kjo çështje nuk është në axhendën e sotme. Megjithatë mund të përmendet ndoshta në konkluzionet finale.
Një burim tha për portalin se pati raportime se tre shtete ishin kundër nisjes së negociatave, por çështja nuk është e thjeshtë sepse pati prej atyre shteteve që ishin në favor të ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
EurActiv shkruan se pasi bllokoi nisjen e negociatave, presidenti francez Emmanuel Macron iu është shmangur mediave mbrëmë dhe sot në mëngjes duke mos dalë nga dera kryesore. Kurse presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha disa fjalë të përgjithshme.
“Pati një atmosferë shumë pozitive për arritjet e jashtëzakonshme që kanë bërë këto vende për t’u afruar me BE-në.
Është shumë e rëndësishme që ne duam të japim sinjal të fortë nga ky samit se sa të rëndësishme janë për ne këto vende, që kanë punuar fort dhe kanë demonstruar se po i afrohen gjithmonë e më shumë Bashkimit Europian. Po ashtu është shumë e rëndësishme për ne që të zhvillojmë një perspektivë të përbashkët”, tha ajo.