Partitë e pushtetit dhe të opozitës në Maqedoninë e Veriut ranë dakord të dielën në mbrëmje për datën e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare dhe kjo do të jetë 12 prilli i vitit të ardhshëm.
Në takimin e thirrur nga presidenti Stevo Pendarovski çështja e zgjedhjeve ishte si temë e dytë pas asaj të dështimit për marrjen e datës së bisedimeve nga Bashkimi Evropian.
Data e zgjedhjeve është pranuar me konsensus nga të gjithë pjesëmarrësit në takim: Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së opozitare, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Zijadin Sela kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Afrim Gashi i Alternativës, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa dhe Menduh Thaçi i Partisë Demokratike Shqiptare.
Në bazë të marrëveshjes së para disa viteve të njohur si e “Përzhinës”, tre muaj para datës së zgjedhjeve Kryeministri duhet të japë dorëheqje dhe të formohet një qeveri teknike, ku do të përfshihet edhe opozita. Kështu, qeveria teknike duhet të formohet më 3 janar.
Zoti Zaev ka theksuar në takim se partia e tij është e gatshme të pranojë një njësi të vetme zgjedhore ose listat e hapura.
Maqedonia e Veriut aktualisht ka gjashtë njësi zgjedhore dhe secila dërgon nga njëzet deputetë në parlamentin republikan.
Drejtuesi i opozitës, Hristijan Mickovski u tha gazetarëve se me rëndësi është që u caktua data e zgjedhjeve të parakohëshme, teksa hodhi poshtë akuzat që i ishin bërë nga zyrtarë të LSDM-së se ai të ishte gëzuar që vendi nuk mori datën për negociatat me BE-në.
Kryetari i BDI-së, Ai Ahmeti u shpreh se takimi kishte kaluar në mënyrën më të mirë të mundëshme. Ai, si edhe shumica e drejtuesve të tjerë partiakë, vlerësoi se çështja e censusit nuk do të jetë lehtë të realizohet, sipas planeve paraprake, përkatësisht në pranverën e vitit 2020 për shkak të zgjedhjeve të parakohëshme, por i vetmi Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët konsideron se censusi do të mund të bëhej në mënyrë paralele me përpagtitjet e zgjedhjeve.
Partitë e opozitës për muaj të tërë kanë kërkuar zgjedhje të parakohëshme, duke e kritikuar qeverinë e zotit Zaev për skandale korrupsioni, nepotizëm dhe paaftësi për realizimin e reformave që do ta çonin vendin drejt integrimit evropian.
Nga ana tjetër, ka analistë të cilët vlerësojnë se zgjedhjet e parakohëshme do të zvarrisin reformat në vend.