Edi Rama është përfshirë në një shkëmbim mesazhesh online për të treguar se nuk ka faj qeveria e tij për mosnisjen e negociatave, por ndryshe mendojnë në vendet që i mbyllën derën Shqipërisë.
Gazeta ‘Het Parool’ e Amsterdamit në Holandë, shkruan se, Shqipëria është shumë larg BE-së, kurse vendi është në një kaos të madh.
Gazetari Mark van Assen, që ka vizituar Tiranën, thotë se, edhe shqiptarët e kuptojnë se përse Holanda ishte kaq e ashpër me vendimin e saj kundër Shqipërisë.
Sipas gazetës, ‘situata në Shqipëri është kaq serioze, sa raporti vjetor i progresit nuk quhet më raport progresi, por thjesht raport vjetor’.
‘Asnjë përparim nuk po bëhet në Tiranë,’- thotë Haga. Vëzhguesit në Shqipëri e nënvizojnë vetë se ‘gjërat shkuan mirë deri në vitin 2014, dhe shumë gjëra ndodhën, por që kur u bëmë vend kandidat, gjërat kanë ndaluar’’.
Gazeta interviston një gjyqtar që është flakur nga vetingu, i cili qan në lokal përpara gazetarit, teksa tregon se ka punuar me ndershmëri për vite të tëra, por tashmë është në rrugë të madhe.
Ai nuk do që t’i dalë emri nga frika e hakmarrjes. Gjyqtari mendon se ka qenë viktimë e një marrëveshje politike, pasi dikur ka dënuar njerëz pranë kryeministrit Edi Rama.
‘Sigurisht që ka probleme në Shqipëri. Sigurisht që ka korrupsion. Dhe është mirë që sistemi po skanohet. Por kush po e bën këtë? Ata janë zgjedhur prej atyre në pushtet, ata janë të caktuar nga politika. Një anëtare e Komisionit të Rishikimit të Gjyqtarëve është motra e një ministri. Kjo mund të mos jetë problem në Holandë, por është këtu,’ thotë ai.
Edhe gazetari holandez që jeton në Tiranë, Vincent van Gerven Oei pranon se ky është problemi.
‘Sigurisht është mirë që po luftohet korrupsioni. Por pyetja është se cila është rruga e duhur. Gjyqtarët dhe prokurorët, për shembull, duhet të japin llogari për të gjithë të ardhurat, shpenzimet dhe asetet, por kjo nuk është e mundur. Kjo është Shqipëria. Ky është një vend informal’.
Gazetari holandez shkon më tej. ‘Por përse askush nuk pyet për pozicionin e kryeministrit Edi Rama? Përveç presidencës, ai ka gjithçka në dorë.
Askush nuk e di se çfarë janë marrëveshjet me BE-në. Evropa e dëshiron një gjë, Rama thotë se e bën. Kjo çon në një formë të shtetit autokratik. Është e pakuptueshme që Komisioni Europian beson se Shqipëria është e gatshme për bisedime. Këtu është një kaos i madh’.