Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, në një intervistë për ABC News, tha se, sot jemi në një situatë që Shqipërisë i është vendosur edhe njëherë muri i izolimit me Europën. Alibeaj tha se pengesa e vetme për integrimin në Europë është kryeministri Rama.
“Shumë shpejt po kuptohet graviteti i asaj që ka ndodhur. Çfarë ka ndodhur? E ka thënë Franca, Gjermania, Holanda, Danimarka dhe jo vetëm. S’kanë thënë një gjë tjetër. Gjatë këtyre 10-15 vjetëve kemi pasur tentativa për të çelur negociatat këtë vit nuk ka një datë tjetër dhe kjo është shumë e rëndë. Sot që flasim Shqipërisë i është vendosur edhe njëherë muri i izolimit me Europën.
Atëherë kur Shqipërinë e donim si Europa sot jemi në një situatë kur nuk kemi një datë, një moment tjetër që të aspirojmë hapjen e dyerve të Europës. Na është rivendosur edhe njëherë muri i izolimit politik. Kam frikë se edhe mund të përforcohet se lëvizja e Holandës për kthimin e vizave ishte një kambanë e qartë po ky nuk dëgjoi. Sot shqiptarët duhet të kuptojnë se rruga e Shqipërisë për në Europë ekziston dhe ka një pengesë dhe kjo pengesë është Edi Rama”, tha Alibeaj.
Sipas ish-deputetit ka pasur gjatë viteve të shkuara vendi ka pasur momente pozitive siç ishte integrimi në NATO, apo dhe liberalizimi i vizave. Gjithashtu ai nuk mohoi që opozita mund të ketë pasur fajet e saj gjatë gjithë historisë politike 30-vjeçare të vendit tonë.
Megjithatë Alibeaj sheh si shkaktar të mosintegrimit të vendit qeverinë dhe fajtori kryesor sipas tij është Edi Rama. Madje sipas ish-ministrit, ai ka shpërdoruar edhe dashamirësinë e përfaqësuesve europianë.
Më konkretisht, Alibeaj foli për përfaqësuesit e KE-së të cilët sipas opozitarit në shumë raste i kanë zbukuruar raportet ndaj Shqipërisë, çka ka bërë që Franca të kërkojë mënyrën se si kontrollohen dhe monitorohen reformat në vend.
Sipas Alibeajt edhe deklarata e komisionerit për zgjerimin Johanes Hahn se fajin e ka Europa dhe jo Shqipëria pasi liderët europianë deklaruan se nuk u hapën negociatat “është diabolizëm dhe disa herë edhe klientelizëm i pavend”.
“Macroni ka thënë Jo sepse do duhet që të rigjenerohet mekanizmi i cili kontrollon, monitoron se sa reforma reale bëjnë katro vende. Kjo do të thotë një gjë që e kemi thënë ne më përpara që ajo pjesa e burokracisë së Komisionit Europian atje jo gjithmonë ka qenë e ndershme me Francën dhe Gjermaninë. I ka vizatuar me lajle e lule reformat jo reale që vendi ynë ka bërë.
Të kapim rastin më të mirë. Edhe këtë e pranoj ndoshta burokratët kanë thënë t’u japim një dorë këtyre që nuk i kanë bërë detyrat aq mirë, por duke i fshehur defektet tu japim një dorë. Shërbimi që kanë bërë është i gabuar. Një gjë që nuk e kuptoj është se si mund të dalë komisioneri ditën e fundit dhe të thotë kur Macroni ka folur, Merkel ka folur, ka thënë që faji nuk është i Shqipërisë, por është i Europës. Këtë nuk e pranoj, ky është diabolizëm dhe disa herë edhe klientelizëm i pavend”, tha Alibeaj.