Zgjerohet “kolonia” shqiptare te Pescara. Pas Ledian Memushajt, liderit të “delfinëve” ku mban dhe shiritin e kapitenit dhe afrimit në merkato të Rey Manajt, me skuadrën e Massimo Odos, ka firmosur kontratën e tij të parë si profesionist edhe mbrojtësi shqiptar Leonardo Maloku. 18-vjeçari që është aktivizuar me ekipet përfaqësuese kuqezi të moshave ka lënë shenjë në grumbullimin përgatitor parasezonal ku është bashkuar për herë të parë me skuadrën e parë dhe është aktivizuar në të 3 miqësoret e luajtura deri më tani nga Pescara, duke bindur kështu klubin për të firmosur me të një kontratë 5-vjeçare. Mediat italiane shkruajnë se, klubi beson shumë te djaloshi që ka lënë shenjë në seancat stërvitore, ndërsa në miqësoret e luajtura ka spikatur për dinamizmin, përqendrimin dhe kontributin në të dyja fazat e lojës, ndërsa mund të luajë shumë mirë jo vetëm në krah, por edhe si qendërmbrojtës si një lojtar shumë pozicional.
Mediat italiane kujtojnë ndërkohë se jo më kot në vitin 2014, Maloku u grumbullua me kombëtaren e 17-vjeçarëve të Shqipërisë për të marrë pjesë në kualifikueset e Europianit kundër Norvegjisë, San Marinos dhe Austrisë. Në këtë mënyrë, Maloku do të jetë pjesë e skuadrës së parë të Pescarës në Serinë A në sezonin që pritet të nisë, bashkë me Manajn dhe Memushajn, ku do të mund t’i shohim e bëjmë tifo për ta edhe nëpërmjet ekranit të Supersport që sjell tradicionalisht Kategorinë maksimale të futbollit italian.