Bastian Schweinsteiger mbyll një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij. Mesfushori i ka dhënë fund aventurës me fanellën e Kombëtares së Gjermanisë pas një europiani plot dritëhije. 31-vjeçari tërhoqi shumë krritika pas vetes në Euro 2016, ku Gjermania u eliminua në gjysmëfinale nga Franca dhe në këtë mënyrë, ai ka vendosur t’i japë fund me ekipin përfaqësues. Schweinsteiger e bën të ditur vendimin nëpërmjet një letre të hapur për të gjithë tifozët gjermanë. “I kam kërkuar trajnerit të mos më marrë në konsideratë në të ardhmen, pasi kam vendosur të tërhiqem. Falënderoj gjithë tifozët, ekipin, federatën dhe trajnerët e Kombëtares. Në 120 ndeshje me këtë fanellë kam kaluar momente të paharrueshme.
Trajneri Low e di shumë mirë se sa shumë rëndësi kishte për mua Euro 2016, pasi titullin europian e kemi fituar për herë të fundit në vitin 1996. Suksesi në Botërorin 2014 ishte një arritje historike, por ky është momenti i duhur për t’u larguar dhe i uroj ekipt fat në fushatën eliminatore të Botërorit 2018”, thekson kapiteni i “Die Manchaft”, i cili numëron 24 gola në 120 ndeshje me fanellën e Kampionëve të Botës. Tërheqja e tij pason atë të një tjetër kapiteni, pasi Filip Lahm njoftoi largimin nga Kombëtarja Gjermane vetëm 2 vjet më parë, menjëherë pas suksesit në Brazil. Ai është lojtari gjerman me më shumë pjesëmarrje në një europian. Pas këtij vendimi, Schweinsteiger do të fokusohet te e ardhmja me klubin e Manchester United, pasi gjatë sezonit të shkuar ai u aktivizua vetëm në 18 ndeshje edhe pse u konsiderua si një nga transferimet më të bujshme të “Djajve të Kuq”.