Çfarë ndodh me transportin urban në kryeqytetin me thuajse 1 milionë banorë, katër vjet pas rritjes së çmimit të biletës? “Faktoje” konstatoi se masat ndëshkuese ndaj operatorëve të linjave janë përgjysmuar, por qytetarët që detyrohen të udhëtojnë me autobusë të linjave urbane janë gjithnjë e më të pakënaqur.
Që prej janarit 2016, çmimi i biletës për transportin publik urban në Tiranë u rrit nga 30 në 40 lekë. Arbër Mazniku zëvendës kryetari i Bashkisë Tiranë , në një dalje për mediat disa ditë pas aplikimit të çmimit të ri të biletës, premtoi se do të ngrihej një grup i posaçëm pune, i cili do të kontrollonte ofrimin e shërbimit dhe do t’u garantonte qytetarëve cilësi në transportin publik urban.
“Do të sigurohemi që për çdo shkelje të ketë gjobitje, deri në heqje të licensës. Nuk do të hezitojmë që të marrim asnjë masë që na lejon ligji ndaj kompanive që do të ketë shkelje. Agjencia e Mbrojtes së Konsumatorit por edhe Policia Bashkiake do të jenë gjatë javëve në vijim, në mënyrë të vazhdueshme, në kontroll drejt kompanive për të siguruar që 10 masa kryesore të jenë të sigurta që do të bëhen,”- u shpreh ndër të tjera Arbër Mazniku.
Në 10 masat kryesore që bashkia mori për përmirësimin e cilësisë në transportin urban përfshihen: zbatimi i orarëve të autobusëve, frekuenca, shpejtësia e lëvizjes, qëndrimi në stacion, pastrimi i mjeteve, ambjent i kondicionuar, përmirësimi i komunikimit me qytetarët, tabelat informuese për çdo autobus, cilësia në shërbim etj.
Thuajse 4 vjet pas rritjes së çmimit të biletës së transportit publik, nisur edhe nga ankesa të qytetarëve të mbërritura në redaksi, “Faktoje” kërkoi të dhëna nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë Tiranë.
Nga viti 2016-2019 janë kryer 7307 kontrolle për sjelljen dhe sigurinë e operatorit dhe zbatimin e frekuencës, ndërsa masat administrative gjobë për këtë periudhë është 2439.
Ajo që bie në sy nga shifrat e vëna në dispozicion nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit është se nga viti i parë që u vendos rritja e çmimit të biletës e në vijim, numri i kontrolleve dhe gjobave ka ardhur në zbritje, deri në përgjysmim.
Në vitin 2016 janë bërë gjithsej 2409 kontrolle dhe janë vendosur 1084 gjoba operatorëve të linjave të autobusëve, ndërsa në vitin 2018 janë kryer gjithsej 1918 kontrolle dhe janë vendosur 593 masa administrative, gjoba.
Linjat më problematike sipas Agjencisë së Mbrojtes së Konsumatorit janë dhe linjat kryesore siç është “Tirana e Re”, “Unaza” Kombinat-Kinostudio” dhe “Instituti Bujqësor”. Për këto linja janë kryer më shumë kontrolle dhe janë konstatuar shkelje në frekuencën e autobusëve, por edhe për sjelljen dhe sigurinë që ofrohet në to.
Por ndërsa ushtrimi i kontrolleve dhe vënia e gjobave që u janë vendosur operatorëve të transportit publik në Tiranë kanë ardhur në ulje, situata në autobusë dhe në stacionet e pritjes sipas vëzhgimit të “Faktoje” është e rëndë.
Mëngjesi dhe pasditja është koha kur transporti publik për të gjithë ata që detyrohen ta zgjedhin, kthehet në makth.
Gjatë këtyre orareve për shumë udhëtarë është e pamundur të hipin e madje edhe të zbresin nga autobusi për shkak të dyndjes. Kjo sepse nuk respektohet frekuenca nga operatorët dhe në një stacion autobusi pritja mund të shkojë 20 minuta ose edhe më shumë, ndërkohë që frekuenca e parashikuar është çdo 10 minuta.
Autobusët punojnë me tejkalim kapaciteti duke shkelur çdo llojë sigurie dhe cilësie në shërbim.
Nuk mungojnë dhe rastet kur njerëzit debatojnë ashpër me shoferët apo fatorinot. Pasagjerët e pakënaqur madje në disa raste refuzojnë të paguajnë biletën, sepse shërbimi cilësohet prej tyre skandaloz.
Shërbimi në linjat e transportit urban në Tiranë, në shumë raste nuk respekton as normat minimale të një shërbimi publik. Mazniku deklaroi se do të merreshin masa për përmirësimin e cilësisë. Pavarësisht penalizimeve siç tregojnë të dhënat e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, shërbimi në transportin publik lë shumë për të dëshiruar dhe për këtë janë dëshmitarë çdo ditë përsonat që përballen me vonesat dhe dyndjet në autobusët e linjave. Për këto arsye deklaratën e Arbër Maznikut do ta klasifikojmë PA KATEGORI.
/ANXHELA RUÇI/Faktoje.al