Basha: Sfida jonë është që qeverinë ta zgjedhë sovrani, jo krimi!

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në një intervistë ekskluzive për News24, është shprehur për herë të parë se nuk e ka problem të përballet me kryeministrin Edi Rama në zgjedhje.

Lidhur me dialogun e munguar maxhorancë-opozitë, Basha tha se është qeveria ajo që ka abuzuar me vullnetin e opozitës, ndërsa për deputetët e rinj që janë sot në parlament tha se nuk ka justifikime, por se duhet reflektim.

PJESË NGA INTERVISTA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, PËR GAZETARIN OSMAN STAFA NË NEWS 24

Z.Basha shpesh keni artikuluar se për të kapërcyer këtë krizë politike duhet vullnet politik, juve konkretisht a e keni këtë vullnet për t’u ulur për të diskutuar?

Basha: Nuk kam asnjë kompleks as të ulem as të diksutoj, ka një problem. Për të paktën tre herët e fundit, kryeministri aktual e ka abuzuar vullnetin e opozitës dhe timin personal, për të zgjidhur problemet me dialog. Pra është e qartë që kemi të bëjmë me mungesë vullneti, dëshire, do thoja edhe kapacitetesh nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministër.

Ju i kërkoni kryeministrit Rama të japë dorëheqjen dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por a është e gatëshme opozita të përballet me kryeministrin Rama në zgjedhje dhe si do të arrihet kjo, me Ramën kryeministër apo me qeveri tranzitore?

Basha: Nuk kemi ne asnjë problem, as si opozitë, as si Parti Demokratike dhe as unë personalisht, sepse Edi Ramën e kam mundur edhe tek e tek dhe e kemi bërë atë betejë. E kam mundur dhe e mund çdo ditë. Nuk është problemi te njeriu, problemi është: do të ketë një palë zgjedhje të tjera si 2016-ta, 2017-ta, ku në vend që të votojnë qytetarët, në vend që të diktojë sovrani me votë, të diktojë krimi?! Oligarkët?! Avdylat?!

Z.Basha ditën e sotme opozita e bashkuar në nivel politik është mbledhur për reformën zgjedhore, në dijeninë tuaj, cfarë ka prodhuar ky takim, mes ekspertësh dhe figurash politike?

Basha: Z.Bardhi dhe ekspertët e PD, bashkë me ekspertët e partive të tjera të koalicioni opozitar, opozitës së bashkuar, kanë vendosur piketat për cështje kryesore që kanë të bëjnë me reformimin e partive politike, ligji për partitë politike. Së dyti, problem shumë kryesor do të thoja më kryesori i reformës, ndarja e politikës nga krimi. Hapi tjetër ka të bëjë me garantimin e votës së lirë. Dhe këtu natyrish do të ketë propozim, një propozim prej vitit 2016 që Edi Rama e zvarrit që është ai për votimin elektronik dhe numërimin elektronik si edhe identifikimin me shenjat e gishtërinjve të zgjedhësve për të në mos zhdukur, zvogëluar mundësinë për abuzime.

Si e komentoni veprimin e ambasadorit të OSBE, Borchardt, përpara disa protestuesve?

Basha: Absolutisht të papranueshëm.

Si ndiheni ju kur shikoni se sot në vendet tuaja janë ulur disa deputetë, të cilët është parë se nuk dinë të lexojnë e të shkruajnë, kur këta deputetë kanë dalë nga lista juaj, pra ju i keni firmosur?

Basha: E para e punës, është një sëmundje e sistemit. Duhet të keni parasysh që këta, si rregull këta kanë ardhur nga fundi i listave, ku me thënë të drejtën edhe vëmendja e propozuesve të emrave ka qenë më e reduktuar. Një pjesë e mirë kanë ardhur nga listat e partive të vogla aleate, nuk kanë ardhur si propozim i PD, por të aleatëve shumë të vegjël, që e kërkonin këtë si një afishim nominal të partisë dhe të logos së partisë, dhe e gjitha kjo ka ndodhur ne nje proces për më pak se pesë ditësh. Megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk është justifikim. Është një shans për reflektim dhe për ndryshim që kjo të mos përsëritet më kurrë.

A nuk mendoni se duhet të ndryshojë sistemi i listave?

Basha: Absolutisht, jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht e kam shprehur preferencën time për sistemin mazhoritar dhe lidhjen e drejtpërdrejt të deputetit me zgjedhësit dhe kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit, që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në Parlament, pavarësisht nëse partia e tij është në qeveri apo jo, dhe të mos shohin faktin qe kur partia është në qeveri deputetët kthehen në kukulla dhe ngrenë dorën çfarë t’iu thotë kryeministri, sepse e kanë të lidhur fatin me kryeministrin dhe shpeshherë me interesa korruptive, që vijnë nga qeveria, por ta lidhin ekzistencën e tyre politike me fatin e votuesit.

 

Artikulli paraprakBardhi përshëndet rezolutën e PE: Qeveri e re për të hapur negociatat
Artikulli tjetërStrazimiri flet për largimin e Malajt: Gjyqtar i keqpërdorur nga Rama për 30 qershorin