Ish-Kryeministri Berisha i është përveshur atij që ai e quan si Miladini i Kosovës duke ju adresuar Hashim Thaçit, por edhe Ramës dhe Baton Haxhiut. “Kjo është trojka më famëzezë në historinë e Kosovës” që ju turrën trojeve të tyre për ti copëtuar”, tha Berisha.
“A është bërë pishman Sali Berisha për sulmet ndaj Baton Haxhiut?”
I ftuar në Zonë e Lirë, ish kryeministri Sali Berisha ka vijuar akuzat ndaj gazetarit Baton Haxhiu duke e etiketuar si shef i Miladinit.
Ai shtoi se gjatë kohës që ai ishte në pushtet, askush nuk guxoi të hidhte tezën e ndryshimit të kufijve të Kosovës.
“Është problemi i atyre që morën përsipër të quajnë luftë civile, luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Atyre që morën përsipër të nxjerrin dogmën se çdo marrëveshje është më e mirë se pa gjë.
Këta dilnin dhe përhapnin nëpër Shqipëri dhe Kosovë idenë e super kapitullimit sipas të cilës, çdo marrëveshje është më e mirë se pa marrëveshje. Nuk thotë as Batoni që s’ka qenë agjent, por që Batoni është një eksponent, shefi i Miladinit.
Ata për një vit e gjysmë bombarduan popullin e Kosovës, e shndërruan si në kohën e Millosheviçit. Sa isha në pushtet, nuk guxuan të nxjerrin tezën e ndryshimit të kufijve, e shkëmbimit të territoreve.
S’mund të them që e kishin nga unë, por fakti që sa ika unë nga pushteti, u bënë bashkë me Ramën… Mashtruan gjithë botën se Kosova ishte dakord. Askush në Kosovë përveç dy personave nuk ishte dakord”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
Ish-kryeministri mohoi akuzat sipas të cilave, Baton Haxhiu ka drejtuar një pçrej fushatave të Partisë Demokratike, kur në krye të saj ishte pikërisht ai.
Mbrëmjen e sotme në emisionin “Zonë e Lirë” është i ftuar Sali Berisha, i cili ka folur për marrëdhënien që ka me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
“Unë mendoj se në skedën politike shqiptare Albin Kurti është një politikan me një fibër të fortë politike. Po të përdorim një shprehje të huaj, është “kafshë politike”, njeri me instinkte dhe këtë e ka faktuar.
Ka dallime mes tij dhe Tsipras, i pari është rritur në krahët e një miliarderi, ndërsa Kurti jo.
A do ketë të tjerë me karrierën e tij të gjatë politike, varet, mundet.
Nuk kam asnjë marrëveshje, kemi pasur mendime të njëjta ndaj një problemi, ndaj një akti të paimagjinueshëm, të ndryshimit e copëtimit të kufijve të Kosovës. Ky ishte takimi i parë personal me Albinin. Unë jam për Kosovën e fortë, unë besoj që Albini do të japë kontributin e tij të plotë”, tha Berisha.
Ai shprehet se ka pasur simpati për projektin e Vetëvendosjes.
“Më vjen shumë mirë rishqyrtimi që Albin Kurti i ka bërë projektit. Ai pati kurajo të mbrojë ëndrrën e bashkimit kombëtar si pjesë e planit. Projekti që ai paraqit nuk ka ideal më fisnik, më sublim, se ideali i bashkimit kombëtar.
Ky është një proces dinamik në ecurinë e tij, që kërkon rrethana siç deshën ta bëjnë duke ndarë Kosovën midis Serbisë dhe Shqipërisë. Me atë nuk isha kurrë”, tha Berisha.