Zyrtarë të lartë të Uashingtonit, kongresmenë e senatorë i kanë shprehur kreut të PD, Basha gjatë takimeve në vizitën e tij në SHBA vlerësimet maksimale për lidershipin e treguar prej tij si dhe rolin në arritjen e kompromisit për Reformën në Drejtësi. Në ditën e fundit të Konventës Kombëtare të Demokratëve, ku Hilari Klinton pranoi nominimin për kandidate për presidente të SHBA-ve, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me senatorë dhe kongresmenë mes të cilëve dhe me nënkryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin amerikan, Eliot Engel.
Kongresmeni Engel ka vlerësuar kontributin e rëndësishëm të zotit Basha dhe PD për Reformën në Drejtësi. Engel e përgëzoi zotin Basha për lidershipin e treguar për të sjellë në fund një reformë bazuar nga standardet më të mira të rekomanduara dhe nga Komisioni i Venecias dhe miratimin me konsensus të saj. Konsensusi ishte e vetmja mënyrë për të garantuar një drejtësi të pandikuar politikisht, theksoi Engel, duke përgëzuar zotin Basha për qëndrimin e tij parimor.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces, i cili ishte kompleks dhe i vështirë, por në fund produkti është ai nga i cili përfiton çdo qytetar. Pas dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi, zoti Basha ka theksuar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë sfida e ardhshme për Shqipërinë. Për këtë Basha kërkoi angazhimin dhe mbështetjen e kongresmenit Engel dhe të Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin amerikan.
Engel ndërsa theksoi se një vend nuk mund të bëjë progres nëse nuk garanton votën e lirë të qytetarëve të tij ka ofruar mbështetjen dhe gatishmërinë për të kontribuar në të gjithë procesin që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Kryetari i opozitës dhe kongresmeni Engel diskutuan gjerësisht edhe mbi zhvillimet në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj., dhe situatën politike në rajon e më gjerë.