Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i ftuar në News 24, i është përgjigjur deklaratave të deputetit të PS, Taulant Balla, lidhur me reformën zgjedhore.
Ditën e sotme, Balla ndër të tjera u shpreh se, ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të kalojnë përmes komisionit të posaçëm Parlamentar, por për numrin dy të selisë blu, këto deklarata janë “tentativa që synojnë t’i bëjnë ndërkombëtarët dhe shqiptarët për budallenj”.
Bardhi shtoi më tej se, nuk mund të kalojë asnjë ndryshim pa marrë vullnetin e të gjitha partive politike.
“Kjo është një tentativë e qartë për t’i bërë partnerët ndërkombëtarë dhe shqiptarët për budallenj. Para se të flasim për një proces teknik, ne duhet të flasim në nivel politik. Duhet gjetur vullneti për ta realizuar reformën zgjedhore që duan të gjithë shqiptarët.
Opozita politike dhe PD në vend, nuk janë anëtarë në Komisionet Parlamentare, sepse ne nuk jemi në Parlament dhe ne kemi thënë se Kuvendi është ilegjitim, për të gjitha arsyet që në kemi propozuar.
Ajo që ka çaluar deri tani që nuk kemi pasur zgjedhjet demokratike, ka qenë mungesa e vullnetit politik. para se të flasim për ndryshimi ligjore, ne duhet të gjejmë konsensus dhe vullnet politik. Duhet vullnet për të adresuar rekomandimin e OSBE-ODIHR”, u shpreh Gazment Bardhi.