Apeli liron nga burgu tre protestuesit e Unazës së Re

Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për tre banorët e Unazës së Re, të cilët prej dy javësh qëndronin në burg, pas arrestimit lidhur me pjesëmarrjen në një protestë.

Ilir Katiraj, Skënder Doda dhe Gramoz Shehu, qëndronin në burg pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërsa Apeli vendosi sot t’i ndryshojë masën e sigurisë duke i dhënë atë të “arrestit shtëpiak”.

Ndërkohë që Gjykata kishte marrë në shqyrtim masat e sigurisë në një seancë me dyer të mbyllura, disa dhjetra banorë të Astirit, të lidhur në mënyrë simbolike me zinxhirë, kërkonin lirimin e 3 të arrestuarve.

Sipas banorëve, në burg duhet të shkojnë të gjithë ata që kanë protestuar dhe jo vetëm 3, sikundër ka ndodhur.

Ndërkohë, ish-deputeti Klevis Balliu tha se protestat do të vazhdojnë, pavarësisht urrejtjes personale që Edi Rama po tregon ndaj protestuesve.

“Edi Rama ka interes personal ekonomik tek Unaza e Re, aty do të pastrohen paratë e vjedhura shqiptarëve, në kullat që do të ngrihen. Ejani t’jua tregoj dy kullat e para.

Banorët kanë një vit që protestojnë, dhe ky monstër nuk do të ulet e të bisedojë me ta. Kush është ky?! As Rama dhe as Veliaj nuk denjojnë. Është koha të kemi një qeveri serioze dhe të heqim një qeveri karagjoze, qeveri karagjoze të Rilindjes.

Tek banorët e Unazës së Re, Edi Rama ka një interes ekonomik personal, për të vjedhur. Paratë që ai i ka vjedhur shqiptarëve do të pastrohen tek kullat që do të ngrihen tek Unaza. Ejani t’jua tregoj dy kullat e para tek Unaza. Ejani t’jua tregoj, aty do pastrohen paratë e krimit dhe vjedhjes.

Si ka mundësi që këta qindra banorë arrestohen, kurse Saimir Tahiri që mbushi vendin me drogë nuk ka bërë as 20 minuta burg?! Vetëm se ai ka fotot dhe videot e Olsi Ramës që qarkullonte në Xibrakë… Nuk ka drejtësi, gjykatat dhe prokuroritë kanë vdekur”, tha Balliu.

Artikulli paraprakRama ka interes personal ekonomik tek Unaza e Re! Balliu-gazetarëve: Ejani t’u tregoj 2 kullat e para…
Artikulli tjetërTrajneri pyetet nëse do t’i hiqet Xhakës shiriti i kapitenit pas veprimeve që bëri me tifozët!