Xhaka debuton me Arsenalin

Arsenali fitoi miqësoren e San Joses ndaj yjeve të MLS falë një goli të vonë të Chuba Akpom, që arriti t’i japë fitoren të tijve 3 minuta para përfundimit. Në testin e parë amerikan, Granit Xhaka e nisi takimin si zëvendësues teksa hyri në fillimin e pjesës së dytë në fushë. Yjet e MLS e nisën mirë ndeshjen duke rrezikuar që në minutën e 9-të, por Petr Cech arriti të priste. Vetëm një minutë më pas, Arsenali mundi të fitojë një 11-metërsh të cilin e shndërroi në gol Joel Campbell. Pjesa e parë megjithatë u mbyll në barazim, me ish-sulmuesin e Chelsea-t Didier Drogba që realizoi në minutën e 45-të, pas një aksioni rokambolesk. Në pjesën e dytë yjet amerikanë ju afruan sërish golin me Giovincon, por Petr Cech reagoi mjaft mirë. Ndeshja ishte e ekuilibruar deri në minutën e 87-të kur Chuba Akpom realizoi për epërsinë e Topçinjve që e nisën me fitore turin e tyre amerikan.
Xhaka u aktivizua për 45 minuta në miqësoren në fjalë, ku shkëlqeu me pasimet e dhëna dhe goditjet e rrezikshme në drejtim të portës. Sa për pasimet, sipas statistikave të publikuara nga vetë Arsenali, ai pati një saktësi mbresëlënëse prej 94.1 për qind të tyre, një përqindje tepër e lartë duke patur parasysh faktin që bëhej fjalë për një takim miqësor.

Artikulli paraprakSampaoli refuzon stolin e Argjentinës
Artikulli tjetërMandzukiç tek Barcelona?