Juventusi në Hong Kong për blerjet e reja

Juventusi e ka mposhtur Kinën e Jugut, me rezultat 1:2, në një ndeshje miqësore. Kina e Jugut ka kaluar e para në epërsi në minutën e 21-të me golin e Siu Ki Chan. Por, vetëm pas pesë minutave, Mehdi Benatia ka barazuar rezultatin në 1:1. Kurse, tetë minuta pa përfunduar ndeshja, Valerio Rosseti ia ka siguruar fitoren kampionit të Italisë.
Juventus po shpreson se miqësoret e programuara në Hong Kong në turin aziatik të kampionëve të Italisë të shkojnë më mirë sesa konferenca e parë e shtypit që bardhezinjtë zhvilluan këtë fundjavë. Gjatë një takimi kaotik me gazetarët që u ndërpre vazhdimisht nga përkthyesi, shpërthyen të qeshurat, por kjo nuk e devijoi trajnerin Allegri nga objektivat edhe pse ndryshoi gjuhën në anglisht.
“Higuain është një blerje e madhe ashtu dhe si lojtarët e tjerë që i janë shtuar skuadrës këtë sezon. Klubi po bën një merkato fantastike dhe jemi shumë konkurrues, por nga kjo nuk i marrim rezultatet si të mirëqena dhe duhet të punojmë shumë për të fituar”, tha trajneri Allegri. “Zonja e Vjetër” do të përballet me Kinën Jugore dhe Hong Kongun në një turne veror, por vëmendjen më të madhe e morën blerjet e reja.
“Pjanic dhe Benatia luajtën mirë në Australi dhe do të impenjohen sërish. Nuk e di nëse do të jenë në fushë për 15 minuta apo një orë, pasi do të varet nga ndeshja”, tha trajneri i Juventus. Kampionët e Italisë do të nisin mbrojtjen e titullit në Serinë A ndaj Fiorentinës më 21 gusht.

Artikulli paraprakJanuzaj tek Milani?
Artikulli tjetërBoateng te Las Palmas