Kush e hap gojën shumë, duhet të dijë të presë edhe kundërgoditjet. Kryeministri britanik, Boris Johnson tha në shtator, se ai do të donte më mirë të ishte i vdekur në një gropë në rrugë se të kërkonte shtyrjen edhe njëherë të Brexit. Por edhe 31 tetori, që do ta nxirrte vendin nga Bashkimi Europian u anulua si datë.
“Flextension”, kështu quhet koncepti i ri, me të cilin BE argumentoi të hënën shtyrjen për herë të dytë të Brexit. Ai do të mund t’u sigurojë britanikëve një dalje me fleksibilitet, e mundur në datën e parë të çdo muaji, për sa kohë që marrëveshja e daljes nga BE konfirmohet në parlament dhe ratifikohet.
Nuk dihet, nëse kjo ofertë e BE është bërë për t’i dhënë më shumë guxim Boris Johnsonit ta provojë edhe njëherë miratimin në parlament, apo është bërë për t’ia bërë të qartë atij situatën e koklavitur, në të cilën ndodhet.
Pas takimeve intensive diplomatike me qeverinë franceze, Parisi u tërhoq nga rezervat që kishte kundër shtyrjes së afatit. Fakti që në Londër po duken shenjat për zgjedhje të parakohshme, e ka përshpejtuar vendimin në Paris.
BE gjithmonë ka thënë, se një referendum i dytë apo zgjedhjet janë arsye të pranueshme për zgjatjen rishtazi të afatit të Brexit. Megjithëse Brukseli dhe kryeqytetet e tjera europine janë lodhur me të, europianët e shohin veten në pozicionin e rehatshëm të vëzhguesit të dramës së Brexit, pa qenë në fund fajtor.
Laburistët bllokojnë zgjedhjet e reja
Në Dhomën e Ulët sërish kryeministri Johnson pësoi një humbje. Deputetët laburistë abstenuan dhe qeveria nuk mundi të mobilizojë dy të tretat e kërkuara për të shpallur zgjedhjet e reja para krishtlindjeve.
Megjithëse kryeministri e akuzoi në parlament partinë më të madhe opozitare për frikë para gjykimit të votuesve dhe deklaroi se “koha e këtij parlamenti ka skaduar”, kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn nuk reagoi.
Megjithëse partia laburiste i referohet mungesës së besimit tek kryeministri, kjo parti ka rezultate shumë të dobta në sondazhe, afër 10% pas konservatorëve. Edhe në vlerësimin që iu bëhet politikanëve, Jeremy Corbyn qëndron shumë pas Boris Johnsonit, megjithëse shumë vetë nuk besojnë tek kryeministri dhe i japin atij notë të dobët.
Laburistët me Corbyn ndodhen në një gjendje të vështirë dhe përpiqen t’i shtyjnë sa të munden zgjedhjet e reja. “Gjelat e detit nuk votojnë për krishtlindje” tallet pala kundërshtare në Dhomën e Ulët, sepse shumë deputetë laburistë duhet vërtet të tremben për mandatin e tyre.
Roli i partive të vogla
Por megjithë dështimin e fundit, Boris Johnson bëri të ditur, paraqitjen e një ligji të martën, me të cilin mund të vendoset për zgjedhje të reja edhe me shumicë të thjeshtë.
Një ide në fundjavë e partive të vogla opozitare, liberalët dhe partisë skoceze, SNP, i jep shpresë kryeministrit. Të dyja partitë kanë thënë, se do e mbështesin qeverinë, sepse duan zgjedhje të reja. Bashkë me konservatorët ata do të arrinin shumicën.
Por motivimi që i shtyn këto parti tek zgjedhjet e reja është diametralisht i kundërt me atë të kryeministrit. Partitë e vogla opozitare duan ta heqin nga axhenda ligjin e Brexit, që kryeministri të mos futet në fushatë si hero.
Liberalët janë proeuropianë dhe nuk e duan daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Edhe partia skoceze, SNP i bashkohet kësaj. Skocia votoi në vitin 2016 kundër Brexit, do të mbesë në BE, dhe është ndërkohë duke u përgatitur për një referendum të ri për pavarësinë. Gati gjyma e skocezëve kërkon pavarësimin nga mbretëria.
Por mbështetjen e opozitës, kryeministri nuk e merr pa asnjë shpërblim. SNP për shembull kërkon që të lejohen të votojnë edhe 16 e 17 vjeçarët si edhe qytetarët e BE. Kjo do ta ndikonte rezultatin e zgjedhjeve qartësisht në drejtim të partive proeuropiane.
Se si do të dalë Boris Johnson nga kjo gjendje është e paqartë. Atij i duhet të bëjë lëshime që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme para krishtlindjeve. Sepse koha nuk pret. Do duhej që parlamenti të shpërndahej të hënën e ardhshme, në mënyrë që të respektohej afati për të zhvilluar zgjedhje në javën e dytë të dhjetorit.
Plane me rreziqe
Me kursin e tij për zgjedhje të reja, Boris Johnson i futet një rreziku të madh. Vërtet konservatorët në sondazhe kryesojnë, por në vitet e fundit, insitutet e oponionit publik shpesh kanë gabuar në parashikime e madje rëndë. Sistemi zgjedhor britanik i bën të vështira parashikimet.
Edhe ujditë në fushatën zgjedhore mes laburistëve dhe liberalëve dot ‘i bënin të vështira zhvillimet. Përveç kësaj gati 50% e votuesve britanikë janë të pavendosur dhe nuk dihet, nëse ata do ta ndëshkonin Boris Johnsonin për dështimin e mosnxjerrjes së vendit nga BE më 31 tetor, apo do t’i japin besimin, dhe ai me një shumicë të re, të mund të kalojë në parlament ligjin e Brexit.