Shkodran Mustafi duket se do të jetë një futbollist i Arsenalit. Sipas mediave britanike, Topçinjtë janë shumë pranë zyrtarizimit të blerjes së mbrojtësit me origjinë shqiptare që luan për Gjermaninë për shumën e 30 milionë euro. Futbollisti në fakt ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë euro nga Valencia, por problemet me fair play financiar mendohet se mund ta shtyjnë klubin spanjoll të pranojë ofertën e londinezëve. Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat angleze, por dhe ato spanjollle, Mustafi do të udhëtojë për në Londër këtë të diel për të mbyllur kontratën me klubin anglez.
Për Mustafin ditët e fundit kishte shfaqur interes dhe Milani, por dhe skuadra tjetër angleze e Chelsea-t me trajnerin e bluve, Conte që e shikonte si një alternativë të mirë për repartin e mbrojtjes. Nëse Mustafi do të arrijë të firmosë për Arsenalin në ditët në vijim te londinezët ai do të bashkohet me një tjetër futbollist me origjnë shqiptare, Granit Xhaka, që u transferua gjatë muajit qershor te topçinjtë e drejtuar nga Arsene Wenger.