David Rothkopf, Foreign Policy
Lindja e Mesme është vendi që na njohu me fenomenin e të njohurave të panjohura dhe të panjohurave të panjohura, por edhe pse rajoni tashmë është i mbuluar nga pasiguria, misteri dhe dyshimi më shumë se kurrë në të kaluarën, ekzistojnë përsëri disa të njohura të sigurta. Analizimi i tyre prodhon parashikimin e një të ardhmeje tepër të errët dhe të rrezikshme. Kjo gjithashtu na kujton se edhe pas fitores së madhe të Shtëpisë e Bardhë për marrëveshjen e Iranit, Presidenti në ikje Barack Obama do të lërë pas një hartë të rajonit, ku duket qartë se kjo fitore është kudo e rrethuar nga humbjet dhe përshkallëzimet e konflikteve që do të gjenerojnë pasoja të destinuara për t’u përkeqësuar.
Cilat janë këto të njohura të sigurta? Fillimisht, dimë me siguri që marrëveshja me Iranin ka funksionuar. I gjithë procesi, përveç të bërtiturave në Kongres, përfundoi me sukses dhe Presidenti prevaloi përballë Kongresit duke e bërë kështu marrëveshjen përfundimisht reale. Më pas, teksa shohim përreth Lindjes së Mesme që njohim, rajoni duket qartë se ndodhet në periudhën më të keqe të trazirave se kurdo në historinë moderne. Siria, Iraku, Jemeni dhe Libia ndodhen në mes të konflikteve që mund të ripërkufizojnë vetë natyrën që karakterizon secilin prej tyre.
Pasojat e këtyre konflikteve janë shkatërrimtare dhe kërcënuese për vendet e tjera fqinje si Jordania, Lebanoni dhe Turqia. Konflikti Izrael-Palestinë vazhdon të qëndrojë në një rrugë pa krye të shëmtuar. Egjipti është i destinuar të luftojë për një kohë të gjatë. Shtetet e Gjirit janë duke u tërhequr gjithnjë e më shumë dhe po kërcënohen nga konfliktet e rajonit. Ndërsa Afganistani, edhe pse nuk është teknikisht pjesë e Lindjes së Mesme, por ndodhet në kufi me Iranin, ka hyrë gjithashtu krizë.
Të gjithë këto faktorë të çojnë drejt një të njohure tjetër: situata e acaruar nuk ka për t’u përmirësuar së shpejti. Bëjini vetë llogaritë. Imagjinoni rajonin pas pesë vitesh. A ka mundësi që Siria të jetë stabilizuar? A është e mundur që të jetë stabilizuar Iraku? Po Jemeni apo Libia? Gjatë javëve të fundit e njëjta pyetje u është drejtuar një sërë ekspertëve nga forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe komuniteti diplomatik, si dhe nga vetë vendet e rajonit. Përgjigjja e tyre ka qenë gjithmonë se në të gjitha rastet ka gjasa që trazirat të vazhdojnë, jo vetëm përgjatë pesë viteve të ardhshme, por për shumë e shumë vite të tjera më pas.
Këta ekspertë mund të kenë bërë të gjithë parashikime të gabuara për një apo dy raste, por duket e pamundur që të gjithë ta shohin gabim trendin me të cilin po rrjedhin ngjarjet. Këtu hynë në skenë të njohurat e panjohura ose më saktë të paparashikueshme. Lindja e Mesme ndodhet në një periudhë krize të pandërprerë dhe destabilizimi masiv dhe siç kemi parë të gjithë kohët e fundit, dëmi kolateral dhe pasojat rriten ditë pas dite, duke u përkeqësuar gjithmonë e më shumë.
Ndërkohë që Siria është vendi me krizën humanitare më të keqe në botë, pasi ka vuajtur tashmë prej katër vitesh lufte civile me qindra mijëra të vdekur dhe më shumë se 7 milionë banorë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, këto muaj e vite të tëra lufte vetëm sa e përkeqësojnë të ardhmen e vendit. Nga ana tjetër, Jemeni numëron plot 6 milionë banorë që rrezikojnë të vdesin nga uria.
Qytetarët e Libisë hipin masivisht në gomone të vogla me shpresën e kotë për të arritur deri në brigjet e Europës për një jetë më të sigurt. Kampet e refugjatëve janë duke i vënë Jordanisë dhe Lebanonit një ngarkesë të papërballueshme. Trazirat janë duke u bërë gjithmonë e më të trazuara. Një lider i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara thotë se, Shteti Islamik është duke reduktuar rekrutimet e tij për shkak se nuk ka më nevojë për njerëz të tjerë, megjithatë ekstremistë të tjerë dalin çdo ditë vullnetarë.
Nëse trendi vazhdon të mbetet i njëjtë, atëherë nuk ka shumë vend për parashikime. A nuk mund të rritet numri i ekstremistëve edhe në vende të tjera gjatë pesë viteve të ardhshme në Afrikën e Veriut, në Siri, në Arabinë Saudite apo në Afganistan? Si do të ndikojë rënia e çmimit të naftës në këtë fenomen? Si do të ndikojë situata e re që gjeneron marrëveshja me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Iran?
Kaq e keqe sa duket situata e ditëve të sotme në Lindjen e Mesme, trajektorja e këtyre krizave ka filluar të përbëjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe fuqitë e tjera të mëdha të botës. Nuk bëhet fjalë vetëm për përhapjen masive të luftëtarëve të huaj ekstremistë apo të ekstremistëve që kthehen në shtëpitë e tyre në Europë dhe Afrikën e Veriut, edhe pse ky është vërtet një problem i madh.
Për shembull, kriza aktuale e refugjatëve në Europë do të vazhdojë të përkeqësohet. Vendet që do të preken më shumë nga kjo krizë do të jenë ato të Europës Jugore që janë ekonomikisht të dobët dhe do të dobësohen akoma më shumë nga rënia e ardhshme globale ekonomike. Ndërkohë që refugjatët vërshojnë, cili do të jetë reagimi i paevitueshëm? Nacionalistët dhe partitë e së djathtës ekstreme do të fitojnë pozitë, duke shfrytëzuar ankthin e popullsisë lokale që ka frikë nga impakti social dhe ekonomik i valës së refugjatëve.
Një nga përfituesit më të mëdhenj të kësaj situate kaotike do të jetë “kreu” aktual i këtyre palëve: Vladimir Putin. Ai kërkon të shikojë dobësimin e Bashkimit Europian dhe miqtë e tij në Francë të Frontit Kombëtar, në Itali të Ligës Veriore dhe grupe të tjera të kësaj natyre janë bileta fituese për frenimin e procesit të integrimit europian dhe dobësimin e institucioneve të BE-së. Kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme në këtë aspekt nuk është vetëm një fenomen destabilizues për Europën, por është edhe një kërcënim për Aleancën Atlantike dhe një avantazh gati për t’u shfrytëzuar nga Presidenti rus.
Kushtet e përkeqësuara do të ndihmojnë gjithashtu edhe aktorët e tjerë potencialisht të këqinj, ngatërrestarët dhe armiqtë. Ekstremistët që kërkojnë të destabilizojnë aleatët e Amerikës në Lindjen e Mesme (dhe me shumë gjasa do t’ja dalin) kërkojnë rajone të reja, në të cilat të shtrijnë influencën e tyre, siç kanë filluar të bëjnë në Afrikë dhe Azinë Juglindore.
Irani do të jetë qëllimi i tyre kryesor. Vendi jo vetëm që do të përfitojë një lehtësim të madh të sanksioneve, por do të përfitojë edhe nga lidhjet që sjell ndërprerja e tyre. Dhjetëra mijëra biznesmenë që do të udhëtojnë drejt Iranit në kërkim të marrëveshjeve fitimprurëse do të udhëtojnë edhe drejt Europës, Azisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar marrëdhënie më të hapura dhe duke negociuar për llogari të Iranit. Ata do të fitojnë një mburojë të mirë dhe status më të ngritur. Shitja e naftës do të forcojë varësinë ndaj tyre, veçanërisht në vendet si Kina dhe India.
Kina, si një konsumatore e madhe e naftës së Lindjes së Mesme, do të fitojë gjithashtu pushtet mbi rajonin, duke u kthyer kështu në një tjetër pengesë për t’i bërë presion Iranit. Strategjia e ndjekur nga Pekini ka për qëllim forcimin e lidhjeve jo vetëm me Azinë Juglindore, por edhe me vendet në kufi të Lindjes së Mesme, siç janë Pakistani dhe Afganistani.
Shumë nga faktorët që e kanë çuar botën në këtë pikë janë karakteristika që shoqërojnë tipikisht këto vende si: regjimet e dështuara, qeverisje e keqe, keqmenaxhimi ekonomik, lakmi, korrupsion, armiqësi historike, teknologji të reja dhe kultivimi i ideologjisë ekstremiste. Por nuk mundet gjithashtu të mohohet se një faktor kontribues ka qenë edhe politika e administratës Obama. Presidenti Barack Obama, në kontekstin e dështimeve të mëparshme të administratës së George W. Bush, është përpjekur që të frenojë çdo anagazhim në Lindjen e Mesme.
Është argumentuar gjatë se, Shtetet e Bashkuara duhet t’i lënë që t’i zgjidhin të tjerët problemet. Ata kanë sugjeruar se, nëse nuk ekziston trajektore e qartë drejt fitores kundrejt kërcënimeve potenciale, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të angazhohen me zgjidhje konfliktesh. Kanë sugjeruar se kur problemet të shpërthejnë, të tjerë (të paspecifikuar) do t’i zgjidhin, pavarësisht se historia ka treguar gjithmonë të kundërtën.
Në emër të kujdesit dhe maturisë, si dhe të dëshirës për të shmangur gabimet e së shkuarës, administrata është angazhuar në një politikë të jashtme që ndjek idenë se bota dhe Amerika do të ishin më mirë sikur superfuqia e vetme e planetit të jetë më e tërhequr, më pak e angazhuar dhe më hezituese, jo vetëm për përdorimin e forcës, por as për të kërcënuar me përdorimin e forcës. Në fakt, më shumë se njerëzit, duhet fajësuar vetë ideja që ushqen këtë politikë, ideja që problemet e botës mund t’ja lëmë t’i zgjidhin të tjerët dhe të mos paguajmë asnjë çmim.
Siria ishte një shembull i qartë i kësaj ideje. Kur u bë e qartë se përdorimi i armëve kimike ose vija e kuqe, ishte kapërcyer vazhdimisht, Obama mori në konsideratë kundërveprimin dhe më pas u tërhoq. Ndërkohë që Presidenti sirian, Bashal al-Assad vriste njerëzit e tij dhe grupet e tjera ekstremiste u përfshinë në konflikt me gjithë gamën e tyre të ideologjive, Shtetet e Bashkuara diskutuan për kundërveprim, por më shumë për të gjetur justifikime për të mosvepruar dhe duke shpikur bashkë me shtetet e tjera aleate metoda novatore për të përmirësuar situatën.
Nuk kishte rrugë të lehtë për të ecur, nuk kishte njerëz të mirë, të cilët të ndihmoheshin në konflikt dhe nuk kishte asnjë mënyrë për të parashikuar rezultate të kënaqshme. Ndoshta më e rëndësishme ishte ideja, se po të mos veprohej ose të veprohej shumë pak, atëherë situata nuk do të përbënte problem dhe nuk do të ndikonte tek pjesa tjetër e botës. Natyrisht, kjo ide ka rezultuar tërësisht e gabuar. Kostoja humanitare e mosveprimit ka qenë shkatërrimtare. Tani çdo e ardhme që mund të imagjinojmë për Sirinë i bën tragjeditë e sotme të duken ekstravagante dhe e shkuara duket asgjë në krahasim me vuajtjet dhe trazirat që priten të ndodhin më pas.
Gjenerali Andrew Goodpaster, ish-këshilltar kryesor i Presidentit Dwight Eisenhower si gjatë Luftës së Dytë Botërore si gjatë kohës kur ai ishte President, ishte duke biseduar lidhur me debatin e vjetër nëse informacionet e pasakta të inteligjencës i shtynë Shtetet e Bashkuara drejt luftës në Irak. Ai u kollit dhe tha se Eisenhoweri do të kishte patur më pak durim në diskutim, pasi si një lider i vjetër dhe me eksperiencë, ai e dinte se informacionet e inteligjencës mund të jenë të gabuara ose të vakëta.
Goodpaster citoi rastin kur në vitin 1944 Eisenhowerit i thanë të injoronte aktivitetin gjerman në afërsi të pyllit Ardennes. Dy javë pasi nisi beteja e madhe në atë zonë, ai foli gjatë për dyshimet me të cilat liderët e dikurshëm u është dashur të përballen, duke theksuar se Eisenhower kishte shkruar një letër ku kërkonte falje për dështimin e të ashtuquajturës “D-Day” përpara se të merrte përsipër rrezikun e madh.
Ai tha se, liderët e mëdhenj shpesh vepronin se ishin të detyruar ta bënin, edhe kur alternativat ishin të pakta dhe rezultatet të paqarta, pasi vetëm nëpërmjet veprimit ata mund të parandalonin pasoja edhe më tragjike dhe të siguronin shanse që në fund mund të sillnin fitore. Liderët e matur dhe pa imagjinatë rrallë herë krijojnë shanse. Ndërkohë që mund të shmangin katastrofa si pushtimi i Irakut, ata gjithashtu i hapin derën pasojave të paparashikuara që e bëjnë situatën akoma më të rëndë.
Ndonjëherë, në përpjekje për të shmangur përgjegjësitë apo probleme të mëtejshme, mund të krijohet një valë e paparashikuar kaosi. Dalja e nxituar nga Iraku ndihmoi në krijimin e kushteve të formimit të Shtetit Islamik njëlloj siç bëri edhe mosveprimi i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve në Siri. Hyrja në luftë tepër vonë me Shtetin Islamik ishte gjithashtu një gabim.
Kaosi në Siri dhe Irak, tashmë ka prekur ndjeshëm Turqinë, Lebanonin, Jordaninë dhe kudo ku Shteti Islamik ka mbjellë farën e tij të helmuar. Situata gjithashtu ka fuqizuar së tepërmi Iranin. Si rezultat edhe një hap pozitiv dhe i suksesshëm siç është marrëveshja me Iranin, kur vendoset në kontekstin e trazirave të rajonit, mund të sjellë pasoja të rrezikshme, nëse prek balancën rajonale të pushtetit.
Historia, lufta në Irak dhe shumë e shumë faktorë të tjerë e ka çuar Lindjen e Mesme në gjendjen e sotme, por ajo që mbetet e paqartë është niveli i ndikimit që ka patur pushteti i lidershipit në tragjeditë kontemporane që po shohim në ditët e sotme. Trazirat po krijojnë terrenin që në të ardhmen e liderëve amerikanë t’i kërkohet të ndërmarrin rreziqe akoma më të mëdha se ato që Obama ka evituar gjatë këtyre viteve.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI