Skema e Ramës për dhënien me koncesion të Portit të Karpenit ka qenë e mirëmenduar. Sipas të gjitha të dhënave, kompania, së cilës Rama i ka dhënë Portin e Karpenit, një investim prej 5 miliardë dollarësh është një kompani e regjistruar e “shpikur” enkas për këtë koncesion. I gjithë ky investim pritet të realizohet nga një kompani që nuk ka as edhe një punonjës, por vetëm një bord drejtorësh, të sapo krijuar. Deputetja Jorida Tabaku në një replikë në distancë me ministren e Ekonomisë zbardhi disa detaje të tjera në lidhje me megaaferën e qeverisë me Portin e Karpenit. Tabaku kërkoi nga qeveria bërjen e transparencës mbi këtë projekt, ndërsa kërkoi përgjigje në lidhje me bërjen publike të investitorëve që u dhanë koncesioni dhe përse kompania u shit në Singapor vetëm dy ditë para se Kuvendi të miratonte ligjin nxitimthi. Tabaku tre të dhëna të cilat flasin ngrejmë pikëpyetje të mëdha mbi kompaninë fituese të Ramës.
“Ajo që kërkova dje dhe vazhdoj të kërkoj edhe sot është vetëm një gjë: Cilët janë investitorët që duan të marrin 1700 ha tokë publike dhe private? Pse kompania u shit në Singapor vetëm dy ditë përpara se të kalonte në Kuvend ligji? Pse bëhet pazar me pronat e 220 pronarëve në këtë zonë? Nga një kërkim i thjeshtë në internet del ky informacion mbi kompaninë kryesore që do të fillojë negociatat me ministrinë:
1. Kompania britanike “Star Bridge Port Limited” siç është theksuar në deklaratë është krijuar në vitin 2011. Sipas të dhënave të marra nga “Companies House” (që është qendra e informacionit për kompanitë e regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar), rezulton se kompania britanike së cilës bëhet fjalë t’i jepet Karpeni ka dorëzuar nga viti 2013 deri në vitin 2016 bilancin e tipit “kompani e fjetur”, pra një llogari që nuk ka pasur asnjë aktivitet tërheqje apo depozitimi në 3 vitet e fundit. (https://beta.companieshouse.gov.uk/…/07760856/filing-history). Si ka mundësi që një kompani që ka shpenzuar miliona euro në vepra të ngjashme dorëzon në Britani një bilanc të këtij lloji?
2. Nga ana tjetër, kompania që ka blerë (sipas të dhënave të marra nga Companies House) kompaninë “Star Bridge Port Limited”, është një kompani me seli në Singapor, e cila nuk mundet t’i gjendet asnjë adresë interneti për punët që ajo ka kryer. Një blerje e tillë ngre pikëpyetje jo vetëm mbi kompaninë “Star Bridge Port Limited”, por edhe mbi raportet e saj me kompani serioze. A mundet vallë që një kompani serioze të shitet tek një kompani fantazmë që ekziston vetëm me një kuti postare në Singapor?! A mundet që një kompani serioze që ka shpenzuar miliona euro, të mos ketë projekte të saktësuara në faqen e saj të internetit?! (http://starbridgeltd.com/projectsanddevelopments.html)
3. Gjithashtu nga një hulumtim mbi strukturën e kompanisë britanike, e cila pretendohet të jetë serioze në fushën e ndërtimit, si ka mundësi që nga gjithë faqet britanike rezulton se struktura e kompanisë në fjalë është tejet e varfër për një kompani që do të shpenzojë 5 miliardë euro, pra sa 1/5 e shumës së TAP”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate tha se, kjo aferë vjen paralelisht me të tjera afera ku e përfshirë është qeveria.
“A mund të flasim për negocim kur nuk kemi asnjë plan konkret dhe asnjë të dhënë të saktë sa i takon kompanisë që bëri propozimin e pakërkuar? Ky projekt negocimi është po aq transparent sa ishte projekti i ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar me kullën ngjitur! Ky projekt negocimi është po aq transparent sa edhe tentativa e dështuar për koncesionin e TVSH-së nga Ministria e Financave, me të njëjtin tip kompanish! Asnjë kompani serioze nga ato që përmend ministria nuk ka ardhur në Shqipëri. Asnjë ofertë serioze nuk ka ardhur në lidhje me këtë projekt. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur e prandaj ka shumë pikëpyetje”.
Tabaku thekson se, Partia Demokratike mbështet e përshëndet çdo investitor të huaj që vendos të investojë në Shqipëri, sot në opozitë e nesër në qeverisje. “Ashtu siç vlerëson TAP që sot është i vetmi burim për rritjen në ekonomi, por dhënia e 1700 hektorë tokë kompanive që kanë vetëm një adresë postare nuk është normale për vende në Afrikë e jo më për një vend që aspiron të jetë nesër në Europë!” bën të ditur deputetja demokrate. “Investimet e huaja kërkojnë angazhim serioz që të vijnë në Shqipëri. Ashtu siç shprehet në raportin e investitorëve gjermanë e amerikanë, ata kërkojnë taksa të ulëta, kërkojnë procedura të shpejta dhe jo ndryshime të shpeshta ligjore. Kjo qeveri në vetëm 3 vite ka rritur taksat, ka ndryshuar mbi 40 herë ligjet fiskale e ka larguar çdo investitor të mundshëm nga Shqipëria për në vendet e rajonit. Kjo është arsyeja se pse IHD kanë rënë me 42% në tremujorin e parë të 2016 në krahasim me tremujorin e parë të 2015. Këta faktorë më erdhën në mendje dje mbasi lexova reagimin militantesk të Ministrisë së Ekonomisë”, shprehet Tabaku në reagimin e saj.
Konfindustria: Karpeni po i jepet një kompanie “guackë”
Konfindustria ka reaguar ashpër në lidhje me koncesionin e Portit të Karpenit, ndërsa thekson se një investim i tillë strategjik po i jepet një kompanie të tipit ‘guackë’, e thënë ndryshe kompanie fantazmë. Konfindustria i kërkon ekzekutivit shqiptar të jetë i kujdesshëm dhe i hapur për publikun në vendimmarrjen për dhënien me koncesion të projektit të ndërtimit të Portit të Karpenit. Përmes një deklarate për mediat, duke patur parasysh shumë raste problematike për interesin publik në dhënien me koncesion dhe PPP/partneriteti-publik-privat, Konfindustria thekson se vlerësimi i kostove dhe përfitimeve për ekonominë kombëtare në rastin e Portit të Karpenit duhet të jetë i mirarsyetuar dhe jo i nxituar.
Dhënia e një hapësire toke në bregdet prej 1700 ha në një nga zonat e pakta strategjike të mbetura për zhvillimin e industrisë së turizmit në vend një kompanie të tipit “guacke”, pa u qartësuar për zotëruesit e saj themeltar, hedh hije dyshimi për rregullsinë e procesit. Aq më shumë kur jemi pikërisht në kohën dhe kushtet e korrupsionit dhe skandaleve botërore të parajsave fiskale.
“Vendimmarrja në dhënien e koncesioneve strategjike siç është rasti i Portit të pretenduar të Karpenit duhet të shoqërohet detyrimisht me të dhëna të qarta dhe studime ekonomike, financiare dhe siguri ligjore të plota. Duhet të shpjegohet sesi mund të ketë siguri ligjore dhe financiare për kompani me kapital 100 euro, që kërkojnë koncesione për të kryer investime me vlera deri në 5 miliardë euro. Gjithashtu, dhe të ketë studime të plota mjedisore dhe njëkohësisht të ndikimit të investimit në industrinë turistike dhe në vlerën e pronave të qytetarëve dhe bizneseve në afatgjatë”, thuhet në reagimin e Konfindustrias.
A.Shahini