Arrestohet nipi i deputetit të PS për pritën që iu bë prokurorit në Durrës

Nipi i deputetit të PS, Rrahman Rraja është arrestuar nga policia për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ndodhur para katër ditëve në Shkozet të Durrësit.

Policia bëri të ditur se, në pranga është vendosur Redjan Rraja, i cili është nipi i deputetit të PS, Rrahman Rraja.

Redjan Rraja, 34-vjeç, është i arrestuari i parë për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, ndodhur të premten e 1 Nëntorit.

Redjan Rraja është nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, një personazh ky më influenca të forta në zonën e  Fushë Krujës.

Mësohet se Redjan Rraja është arrestuar teksa ishte duke u larguar nga Shqipëria në aeroportin e Rinasit. Policia dhe prokurori kanë kërkuar arrestimin e tij për shkak se kanë gjetur gjurmët e gishtave në makinën që u gjet e braktisur në zonën e Shkafanës, në ditën kur ndodhi atentatit.

Derimë tani raportohet se vetë Rraja nuk e ka pranuar që të ketë qenë pjesë e atentatit, dhe as të ketë dijeni në lidhje me të.

Emri i Redjan Rrajës, me profesion mjek, nuk është i panjohur për policinë, pasi ai akuzohet se ka prishur provat në vrasjen e Enton Çiços.

Edhe pse akuzohej për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në ngjarjen ku mbeti i vrarë miku i tij Elton Çiço, Rraja u dënua nga Gjykata e Tiranës vetëm me 8 muaj burg.

Hetimet

Në kuadrin e hetimeve që Prokuroria ka nisur për të zbardhur autorët e atentatit me armë ndaj prokurorit Arjan Ndoja, shoferit dhe mikut të tij, hetuesit kanë shoqëruar të parët për të marrë në pyetje, emrat e personave me precedentë penalë që figurojnë në dosjet e Ndojës, të cilat tashmë i kanë sekuestruar. 

Shoqërimi i këtyre personave është bërë me urdhër të prokurorëve të Krimeve të Rënda, që verifikuan së pari vendin ku ata ndodheshin në kohën e atentatit.

Sipas grupit hetimor, prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja dhe miku i tij Landi Muharremi mendohet se kanë qenë objekti i sulmit në Shkozët pasditen e së premtes.

Më pak dyshime bien mbi shoferin e prokurorit, Andi Malokun, i plagosuri më rëndë nga ky atentat.

Prokurorët tani janë duke pritur përmirësimin e gjendjes shëndetësore të tri të plagosurve për të marrë dëshmitë e tyre lidhur me atentatin që iu bënë.

Njoftimi i Policisë së Durrësit

Vihet në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 1 nëntor, në Durrës.

Më datë 01.11.2019, rreth orës 16:13, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, në ndjekje e sipër, persona të paidentifikuar duke udhëtuar me një mjet tip “Benz” kanë qëlluar me armë zjarri nga mjeti i tyre për të vrarë shtetasit A. N., 42 vjeç, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, A. M., 24 vjeç dhe A. L., 46 vjeç, të cilët kanë qenë duke udhëtuar nga Durrësi në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Benz”, të Prokurorit A. N., ku për pasojë, kanë mbetur të plagosur të tre këta shtetas.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale, Sektorit të Krimeve të Rënda në DVP Durrës e Tiranë, nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.

Njëkohësisht, forca të shumta policie në disa Drejtori Vendore ngritën pika kontrolli dhe ushtruan kontroll të gjerë të territorit për kapjen e autorëve.

Si rezultat i kontrolleve të shpejta, në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohë të shkurtër në fshatin Shkafane, Durrës është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e kesaj ngjarjeje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, regjistroi procedimin penal nr. 244/2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja  kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”  dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Për dokumentimin ligjor të këtij procedimi penal në lidhje me autorët e mundshëm të kryerjes së kësaj ngjarje të rëndë kriminale, me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me autorët e kryerjes së kësaj ngjarjeje, iu kërkua Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lejimi i kontrollit të banesave të 11 shtetasve me banim në Krujë dhe të katër shtetasve me banim në Tiranë dhe në Lushnjë.

Si rezultat i këyre kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje.

Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për ekzamimin të mëtejshëm.

Nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e aryeshme u bë ekzekutimi i urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin R. Rr, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë-Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë.

Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorëve të Krimeve të Rënda po vijojnë intensivisht punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Screenshot 2 6

auto b41572630776

rama rraja1538212026

Artikulli paraprakFamiljarët reagojnë pas dhunës së studentëve tek Ekonomiku, sot bojkotohet mësimi
Artikulli tjetërProtestë kundër ministrit Klosi: S’mund të presim…