Si e mori në mbrojtje Rama deputetin e PS dhe 5 ngjarjet kur Rrajat tronditën opinionin publik

Kur kryeministri Edi Rama mori në mbrojtje Rrahman Rrajën, deputetin e tij në zonën problematike të Fushë Krujës, la të kuptohej se ai ishte një njeri që po i binin në qafë më kot. Megjithatë emrat e Rrajave nisën të lakohen gjithmonë e më shumë duke treguar qartë se sa e rrezikshme është simbioza e krimit me politikën.

Fillimisht opinioni publik mësoi për ta kur djali i deputetit, Rexhep Rraja, u akuzua se kishte dhunuar barbarisht ish- të dashurën, ndërkohë që policia nuk kishte lëvizur për të mbrojtur vajzën me emrin Xhisiela. Pikërisht kur opinioni publik i tronditur u vendos në krah të Xhisielës, kjo e fundit vendosi të mbronte ish- të dashurin e saj.

Pasi kjo histori u ftoh duke u lënë shqiptarëve një shije të hidhur, një video do trondiste opinionin publik. Një person do dhunonte një grua në mes të Tiranës. Sërish policia nuk reagoi edhe pse ishte e pranishme. Protagonist i dhunës ishte Ramazan Rraja, nip i deputetit socialist. Ashtu siç ndodh rëndom, për ngjarjen nuk u fol më shumë se tre ditë.

Për Rrajet nuk do flitej më deri në fillim të nëntorit. Të hënën e parë u raportua se ishte vjedhur filiali i Postës së Krujës, duke marrë plot 110 milionë lekë dhe një sasi valutë. Drejtori i postës? Vëllai i deputetit Rraja, Xhelali.

Pa u shuar akoma diskutimet për këtë ngjarje, mediat raportojnë se është arrestuar edhe Redjan Rraja. Ky i fundit akuzohet për një nga ngjarjet më të rënda të kohëve të fundit, atentatin me armë ndaj prokurorit Arjan Ndoja.

Emri i Redjan Rrajës del edhe në një tjetër ngjarje që tronditi opinionin publik para disa kohësh: vrasjen e Elton Çiços. Edhe pse akuzohej për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në ngjarjen ku mbeti i vrarë miku i tij Elton Çiço, Rraja u dënua nga Gjykata e Tiranës vetëm me 8 muaj burg.

Dy vite më pas, emri i Redjan Rrajës shfaqet në çështjen “Xhisiela”, ku i përfshirë ishte kushëriri i tij, Rexhep Rraja. Oficeri Emiljano Nuhu përmendi emrin e Redjan Rrajës si një prej nipërve të deputetit Rraja që e kishte kërcënuar për shkak të hetimeve që po kryente pas denoncimit të shtetases Xhisiela Maloku.

Rrajaaa

Artikulli paraprakGangsterizmi në auditor, fytyra e vërtetë e paktit për universitetin. Rama dhe Shahini kanë braktisur arsimin
Artikulli tjetër8 artikuj ushqimorë me më shumë proteina sesa vezët