Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka reaguar lidhur me dëbimin nga sistemi i drejtësisë së prokurorit të Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri.
Për këtë të fundit, KPK vendosi ndërprerjen e karrierës, pas problemeve që i gjetën me pasurinë, por edhe kontaktit me një person të dënuar në Greqi, dhe të ndaluar në Shqipëri me akuzën e tentativës së vrasjes.
Salianji shkruan në rrjet se, Përparim Kulluri ështē rasti i radhës që tregon sesi pushteti i Edi Ramës i keqpërdor prokurorët kundër opozitës dhe pastaj i flak jashtë sistemit me veting.
“Njësoj si kolegu i tij, Gent Osmani, edhe Përparim Kulluri u keqpërdor nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj për të shpëtuar Agron Xhafaj nga akuza e trafikut të drogës dhe për të ngritur akuzë kundër denoncuesve, opozitës, medias dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe medias për të denoncuar trafikun e drogës nga vellai i ministrit të Brendshëm. Kushdo që bën pazar me pushtetin kundër ligjit, do te mbajë përgjegjësi!
Ne nuk harrojmë!”, shkruan Salianji.
Kulluri është i katëri në rradhë, pas Gentian Osmanit, prokuror te Krimet e Rënda, Artan Bajramit, prokuror i Apelit të Krimeve të Rënda dhe Xhovalin Përnoca, gjyqtar i Apelit të Krimeve të Rënda, që dalin jashtë sistemit të drejtësisë. Të katër këto emra kanë qenë pjesë e hetimeve dhe gjykimeve paraprake në dosjen e Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.