Humb jetën Drejtori i Sigma Kosovë, Z. Roland Kaçani
Me hidhërim të thellë po përjetojmë humbjen e një prej drejtuesve më te suksesshëm, që prej themelimit të kompanisë Sigma sh.a, Z. Roland Kaçani.
Ai humbi jetën më 03.11.2019, në një aksident i cili rezultoi fatal për të ndjerin. Z. Kaçani ka punuar në industrinë e sigurimeve që prej vitit 1996, dhe ka qënë pjesë e SIGMA sh.a që prej Prillit të vitit 2003.
Që prej vitit 2005, kur Sigma hapi degën e saj në Kosovë, Z. Kaçani e ka themeluar dhe drejtuar me sukses dhe devotshmëri. Me humbjen e tij, kompania ka humbur një drejtues me vlera të veçanta dhe të besueshëm, i cili i ka bërë ballë sfidave dhe ka ngritur një kompani të suksesshme pavarësisht vështirësive të tregut.
Ne gjithashtu po humbim një person me një karakter të fortë, i cili ka ndërtuar një marrdhënie shumë bashkëpunuese me punonjësit e tij dhe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm që emri i kompanisë tonë të ketë një reputacion të shkëlqyer në Kosovë.
- Kaçani humbi jetën në një moshë shumë të re, vetëm 46 vjeç. Shumë familjarë, të afërm, miq dhe kolegë morën pjesë në funeralin e tij. Dhimbja e shkaktuar ishte mjaft e thellë, veçanërisht për prindërit dhe familjarët e tij. Pavarësisht largësisë dhe angazhimeve të shumta në punë, ai i qëndroi gjithnjë pranë prindërve të tij të mrekullueshëm duke iu mundësuar atyre një pleqëri sa më të qetë.
Për të gjithë miqtë, Landi ishte simboli i njeriut fisnik që me dijen dhe zotësinë e tij ka treguar që me punë, këmbëngulje dhe ndershmëri arrihet gjithçka.
Nuk jemi kurrë gati që t’i japim lamtumirën njerëzve tanë të dashur, megjithëse e dimë që është pjesë e jetës. E ndjejnë humbjen e Landit të gjithë ata që kanë pasur fatin t’a kenë njohur dhe t’a kenë pasur në jetën e tyre. Ai ishte dhe do të mbetet një frymëzim për të gjithë!