Roshi fiton 11-metërsh për Terek, Balaj titullar

Odise Roshi dhe Bekim Balaj e nisën me këmbën e mbarë aventurën e tyre të re te skuadra e Terek Grozny. Në javën e parë të Premier League ruse, Roshi ishte vendimtar për skuadrën e tij, pavarësisht se e nisi ndeshjen nga stoli, ndërsa shkodrani Balaj luajti që nga minuta e parë. Mesfushori i kombëtares kuqezi hyri në fushë si zëvendësues në minutën e 59-të dhe në të 75-tën falë një shpërthimi të tij arriti të fitojë një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol Grozav.
Ky ishte goli i vetëm i ndeshjes për Terekun në fitoren 1-0 ndaj Samaras, që i dha dhe 3 pikët e para në kampionat skuadrës nga Grozny. Balaj gjithashtu bëri një ndeshje të mirë në debutimin e tij zyrtar teksa qëndroi në fushë për 83 minuta, duke qenë shpeshherë i rrezikshëm për të tijtë. Shkodrani u transferua në Rusi gjatë zhvillimit të Europianit francez, ndërkohë që Roshi iu bashkua vetëm pak javë më parë. Të dy futbollistët sezonin e kaluar ishin pjesë dhe e ekipit të Rijekës në Kroaci, ndërsa aventura ruse duket se ka nisur mjaft mirë për të dy lojtarët, që kanë patur dhe një vëmendje të madhe edhe nga mediat.

Artikulli paraprakXhaka shkëlqen me Arsenalin
Artikulli tjetërShkëlqen Hyka, shënon edhe Manaj