Shkëlqen Hyka, shënon edhe Manaj

Luzerna i falet sërish Jahmir Hykës. Edhe në sezonin e ri, mesfushori shtatshkurtër ishte protagonisti kryesor i një fitoreje të madhe të skuadrës së tij ndaj Grasshopers në shifrat 4-3. Hyka ishte pjesëmarrës në të 4 golat e shënuar nga skuadra e tij, ku fillimisht fitoi penalltinë në golin e parë të shënuar prej Juriç në minutën e 34-t, ndërsa në fundin e pjesës së parë, fantazisti i kombëtares realizoi vetë duke i çuar shifrat në 2-0. Fillimi i pjesës së dytë solli dy gola të shpejtë për Grasshopers në të cilën dha një asist Mërgim Brahimi, ndërsa kundërpërgjigjja e Luzernës erdhi në minutën e 58 me një gol të Puljiç, nga një goditje dënimi, të cilën e pat fituar Hyka.
Ky i fundit nuk e përfundoi këtu spektaklin e dhuruar në “Swispor Arena”, pasi në golin e 4, dribloi tre kundërshtarë duke shërbyer pastaj me një asist për Juriç që shënoi golin e 4-t, duke sigluar fitoren për vendasit, që në fund u ndëshkuan dhe me golin e 3-të. Me këtë fitore, Luzerna regjistroi triumfin e 2-të, në 2 javë kampionat, po aq sa Bazeli, ndërsa 28-vjeçari u shpall njeriu i ndeshjes, duke vazhduar formën e jashtëzakonshme që e shoqëroi edhe në katër muajt e fundit të sezonit të shkuar. Ndërkohë që dhe Rei Manaj pati një paraqitje pozitive me Peskarën teksa realizoi në miqësoren e fituar nga ekipi i tij me rezultatin 4-1 ndaj Pinetos. Manaj shënoi në minutën e 67-të golin e 3-0 teksa u gjend në pozicionin e duhur duke shtyrë topin për në rrjetë.

Artikulli paraprakRoshi fiton 11-metërsh për Terek, Balaj titullar
Artikulli tjetërMlada-Shkëndija, çekët nuk prodhojnë sinjal tv