Këta jo vetëm që janë qesharakë, por po bëhen lolo edhe në sytë dhe mediat e botës. Gati në të gjitha mediat pro-qeveritare dhe më pas vetë kryeministri Edi Rama, lajmin e lirimit të vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha, i cili mbahej si pjesë e robërve të ISIS në kampin ‘Al-Hol’, po e shesin si një fitore qeveritare dhe sikur në krye të këtij operacioni ka qenë vetë ministrin e Brendshëm ‘gjeneral’ Sandër Lleshaj.
Faktikisht Lleshaj ka mbërritur në zonën ku është sistemuar Alvin Berisha, vetëm 2 ditë pas lirimit të tij, pas një operacioni të shërbimeve inteligjente dhe forcave speciale italiane, të koordinuara me Kryqin dhe Hënën e Kuqe si dhe me autoritetet shqiptare.
Faktikisht ‘autoritet shqiptare’ të cilat kanë më se një javë që janë përfshirë në këtë operacion, rezulton që të jenë ato të presidencës dhe kjo zbulohet nga disa shkrime të mediave egjiptiane, të cilat e kanë ndjekur me vëmendje këtë ngjarje.
Dy ditë më parë, gazeta egjiptiane, ‘Elfagr.com’, në artikullin me titull: ‘Shqipëria realizon me sukses lirim nga duart e ISIS në Siri, të fëmijës shqiptar’, mes të tjerave shkruan se, ‘presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili e ka mbikëqyrur personalisht operacionin’.
‘Shqipëria në bashkëpunim me autoritetet italiane ka realizuar me sukses lirimin e një fëmije shqiptar i cili para disa vitesh udhëtoi nga Italia për në Siri me familjen e tij, për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS. Fëmija është transportuar nga veriu i Sirisë në një vend të sigurtë në Damask në koordinim me Gjysmëhënën e Kuqe siriane.
Bëhet e ditur se, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili e ka mbikëqyrur personalisht operacionin, me interesin e tij të vazhdueshëm ka shfaqur preokupimin për rikthimin e fëmijëve shqiptarë, prindërit e të cilëve iu bashkëngjitën ISIS në Siri, numri i të cilëve mendohet të jetë rreth 40 vetë’, shkruhet në këtë artikull dy ditë përpara se këtu Edi Rama të shpallte veten dhe ministrin Lleshaj, si shpëtimtar të Alvin Berishës.
Ndërkohë po një javë më parë e njëjta media egjiptiane shkruante për të njëjtën çështje duke përmendur nga pala shqiptare po presidentin Ilir Meta, si të angazhuar personalisht në këtë operacion ndërkombëtarë delikat.
‘Në Siri, në bashkëpunim dhe me dijeninë e presidentit shqiptar Ilir Meta dhe të agjencive të sigurisë italiane, ka nisur një operacion humanitar nga Gjysmëhëna e Kuqe siriane për ta liruar një fëmijë shqiptar (i cili ka lindur në Itali) e i cili, së bashku me familjen e vet, ka udhëtuar për në Siri para disa vjetësh për t’iu bashkuar ISIS-it’.
Sipas informacioneve që kanë marrë mediat dhe institucionet qeveritare, përveç djaloshit, në kampet e Sirisë gjenden shumë shqiptarë të tjerë të cilët kanë mbetur të burgosur në pjesët e Sirisë, në kufirin me Turqinë.
Sipas mediumit egjiptian ‘Elfagr.com’, fëmija shqiptar tashmë është transportuar nga veriu i Sirisë në një vend të sigurt në Damask në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe siriane. Operacioni është kryer në bashkëpunim me agjencitë e specializuara italiane të kësaj fushe si dhe nga Gjysmëhëna e Kuqe dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar’, shkruante ‘Elfagr.com’.
Mediat italiane: Gjithçka u organizua nga ROS Milano, shqiptarët vetëm u informuan
Qeveria lëshuar propagandën në sulm për të përfituar politikisht nga lirimi i Alvin Berishës, por e vërteta e këtij operacioni është zbardhur nga mediat italiane.
Corriere della Sera shkruan se i gjithë operacioni, që ka më shumë se 2 javë që ka nisur, është planifikuar, organizuar dhe realizuar nga skuadra speciale e policisë italiane, ROS e Milanos.
‘Një operacion aspak i lehtë. Kjo në shumë aspekte. Për të tërhequr këtë fëmijë (Alvin Berishën) është krijuar një korridor special humanitar, në territorin kurd, atë sirian, më pas fëmija është dërguar në Liban dhe do të sillet në Itali, gjatë një periudhe me vështirësi të mëdha në të gjithë zonën.
Fëmijë në këtë kamp, (që mikpret 70 mijë njerëz) janë diçka më shumë se 40 mijë. Dhe mes tyre ishte edhe Alvin, djali i një luftëtareje shqiptare të shkuar në Siri, i konsideruar edhe si ‘fëmija’ i ISIS. Edhe për këto arsye, ka pasur frikë deri në fund, se ndonjëri nga korridoret e krijuara për kalimin e tij, mund të mos shkonte siç ishte parashikuar.
Operacioni është ideuar dhe zhvilluar në terren nga një skuadër speciale e ROS të Milanos. Alvin Berisha, pas pak ditësh do të dëgjohet në një seancë speciale të mbyllur, për të parë nëse do të ofrojë ndonjë informacion në lidhje me aktivitetin e terroristëve në Siri dhe vdekjen e nënës së tij.
Edhe pse Alvini është qytetar shqiptar, gjithçka është planifikuar dhe zhvilluar nga autoritetet italiane për arsyen se, ai është rrëmbyer nga nëna e tij në terroritorin italian, duke përfshirë edhe faktin se ai është lindur dhe rritur po në Itali.
Për të gjitha fazat e këtij operacioni të fshehtë të tërheqjes së Alvin Berishës, mësohet se drejtuesit italian kanë mbajtur të informuar kryeministrin e tyre, Giusepre Konte dhe autoritetet shqiptare’, shkruan ndër të tjera gazeta e njohur italiane, Corriere Della Sera.
Reagon njeriu i memeve
“E gjithë qeverisja është reduktuar në një shoë banal. Asnjë meritë nuk ka shteti. Çdo meritë i takon gazetarëve italianë. Mqs doni të dukeni të dobishëm. Keni akoma me qindra gra dhe fëmijë shqiptarë në Siri. Lërini fotot! Shkoni dhe sillini në shtëpi”, shkruan Genc Sejko poshtë memes së tij.