Kryetari i PDK-së dhe ish-kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njoftoi se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë dhe në fillim të dhjetorit ai do të udhëtojë për në Hagë.
Ai nuk bëri të ditur se në çfarë cilësie është ftuar nga Gjykata Speciale, por, tha se do t’i përgjigjet ftesës, duke mos pranuar pyetjet e gazetarëve.
“Epoka e UÇK-së është pjesa më krenare e jetës sime. Kam qenë i bekuar që isha ideator dhe njëri nga themeluesit e UÇK-së. Nga prilli i vitit 1999 deri në qershor të 2008-s kam udhëhequr SHIK-un (Shërbimi Informativ i Kosovës).
Lufta e kombit ka qene vet jeta jonë, lufta e drejtë për liri ka qenë e sulmuar gjithmonë. Duke filluar nga UNMIK, EULEX, drejtësia vendore e tash Dhomat e Specializuara. Nuk besoj se në histori të ketë pasur një shembull të tillë edhe ky proces duhet të ketë një epilog. Jam i bindur se edhe kjo gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese”, tha Kadri Veseli.
Katër muaj më parë Gjykata Speciale e ftoi në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte edhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje nga posti që e çoi vendin në zgjedhje.
Deri tash, Gjykata Speciale ka ftuar dhjetëra ish-pjesëtarë të UÇK-së, disa nga ata si të dyshuar e disa nga ata në cilësinë e dëshmitarëve, por, deri tash nuk ka ngritur asnjë aktakuzë. Kryetari i shoqatës së veteranëve të luftës së ish-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se gjykata special ka shpërndarë me dhjetëra ftesa për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Deri tash për ish-ushtarë janë shpërndarë mbi 80 ftesa nga Gjykata Speciale. Këto të dhëna janë nga vetë ish-pjesëtarët që na kanë njoftuar neve si shoqatë”, thotë Hyseni Gucati.
Gjykata Speciale apo, siç njihet me emrin zyrtar “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar” është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në Kosovë në periudhën 1998-99.
Kjo u mundësua në gusht të vitit 2015, kur Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë.
Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran, Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetimet në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë.