Meta paralajmëron zbardhjen e “kontrabandës” me fletoren zyrtare për Kushtetuesen, mesazhi për deputetët

Ilir Meta deklaron se po e ndjek me vëmendje procesin për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese duke tërhequr vëmendjen për dy nene të Kushtetutës.

Ndërsa parlamenti voton sot në limitet e afatit të përcaktuar nga Kushtetuta për zgjedhjen e 2 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese për vakancat e shpallura më 12 shkurt dhe për atë të shpallur më 4 mars të vitit të kaluar, Meta shkruan se sot është një ditë tepër e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit.

Kreu i Shtetit deklaron se po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.

Ndërkaq sa i përket emrave, Meta shkruan se sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED! Mesazhi i Presidentit shoqërohet me një foto nga betimi i tij si President me dorën në Kushtetutë.

MESAZHI I PRESIDENTIT META
Të nderuar deputetë,
Sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë!

Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!
Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë!

Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!
Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.

Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!

Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!

Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!

Artikulli paraprakSi të ndihmoni dikë që vuan nga depresioni
Artikulli tjetërBasha: Biznesi i vogël do të nxirret nga sistemi i TVSH. Paketa që ofrojmë nuk është vetëm ulje taksash