Retë e zymta të Mini Jugosllavisë mbi kombin shqiptar

Nga Red VARAKU

Vendimi për të marrë pjesë në një aleancë anti-shqiptare të udhëhequr nga Beogradi, menjëherë pas bllokimit të integrimit, si presion i hapur ndaj Perëndimit, është një sinjal i zymtë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen perëndimore të saj.

Ky është një projekt, që nga pikëpamja ekonomike nuk sjell asnjë gjë të re për Shqipërinë, përkundrazi sjell vetëm humbje të rolit të saj në rajon. Ai thjesht fuqizon dhe faktorizon Beogradin , duke i dhënë atij rolin e paracaktuar në projektin kinez të “Rrugës së Mendafshit”, si porta kryesore e mallrave kineze në Europë.

Për këtë projekt është dakort vetëm Moska dhe asnjë faktor serioz perëndimor, sepse nëpërmjet këtij projekti fuqizohet dhe faktorizohet aleati i saj historik, vëllai i saj i vogël në Ballkan, Serbia. Ndërsa, nga pikëpamja politike sjell qartësisht defaktorizimin e shqiptarëve, rikthimin e tyre në vasalë të Beogradit dhe rifaktorizimin e Serbisë në Ballkan, sepse e kurorëzon Beogradin kryeqytet të Ballkanit Perëndimor.

Ky proces, është njëkohësisht edhe një thikë pas shpine për Kosovën, sepse është themeluar vetëm në kurriz të interesave të Kosovës, kryesisht për të shantazhuar Kosovën për një marrëveshje humbëse me Serbinë. Jo rastësisht kjo nismë përkon edhe me ardhjen në pushtet të dy partive, që as nuk e çojnë ndër mend ndryshimin e kufijve me Serbinë.

Është një nismë kryekëput kundër Kosovës dhe synon rrethimin e saj nga Serbia, por tashmë njëlloj si në vitin 1946 edhe nga Shqipëria. Pas kësaj tradhtie Kosova ndjehet jo vetëm e izoluar, por ajo ndjehet e tradhtuar bash nga vëllezërit e saj, të cilët kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me ‘hasmin ‘e saj, kundër vetë asaj. Reagimi i menjëhershëm i të gjithë faktorëve politikë në Kosovë kundër kësaj iniciative është prova që kjo aleancë e re shkon drejtpërdrejtë kundër interesave të saj.

Thjesht nisja e këtij procesi e ka dekurajuar tashmë ëndrrën perëndimore të shqiptarëve, duke rikthyer në rajon retë e zymta të izolimit nga Perëndimi. Ky projekt hedh në kosh të plehrave të gjithë investimin 30 vjeçar perëndimor në projektin për faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan, si aleatë kryesorë të Perëndimit, hedh poshtë gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj dhe çfarë shkon kundër Kosovës shkon kundër shqiptarëve.

Vetëm nisja e këtij procesi, i përçau menjëherë shqiptarët brenda dhe jashtë kufirit, duke i garantuar kështu Serbisë rolin kryesor në Ballkanin Perëndimor. I tregon Perëndimit si të gabuar investimin e tij për Ballkanin, dëshmorët për pavarësinë e Kosovës, si dhe fut në lojë faktorët e tjerë gjeopolitikë antiperëndimorë, si Rusia dhe Kina, duke rrezikuar kështu edhe stabilitetin në Ballkan.

Mini Jugosllavia, gjithashtu është edhe një opreacion piari për të tre liderët Vuçiç, Zaev dhe Rama. Sepse, ushqen justfikimin, që fajin për mosintegrimin e këtij rajoni në BE deri tani e ka vetë BE, dhe jo korrupsioni kapilar që gëlon në këto vende.

Zaev përfaqëson një vend po aq të korruptuar sa Shqipëria, por që nuk e konsideron integrimin në Perëndim si zgjidhje të vetme, ndaj një aleancë e tillë në sytë e popullit të tij, jo vetëm nuk i kushton asgjë, por e faktorizon rolin e Maqedonisë në rajon. Ndërkohë, edhe Vuçiç ashtu si Zaev është përfaqësues i një kombi, që ndjehet i tradhtuar nga Perëndimi, për shkak të Kosovës.

Në fakt, ai është më i fituari, sepse jo vetëm e rikthen Beogradin si qendër të Ballkanit Perëndimor, por vërteton se investimi i Perëndimit për shqiptarët ishte i gabuar, dhe këtë tashmë e ka të konfirmuar edhe nga Tirana zyrtare.

Ndërsa, Rama po përfiton nga kjo protagonizmin e munguar, që e ndihmon të riciklohet si politikan, jo vetëm në lojën ballkanike, me qëllim zgjatjen e pushtetit të tij.

Asnjë politikan shqiptar nuk e kam parë të jetë kaq i verbër për pushtet sa ky kryeministër dhe kurrë në botë nuk mund të gjesh një burrë kaq të vogël ose një politikan kaq hipokrit, që pretendon, që e do Bashkimin Kombëtar, ndërsa angazhohet botërisht të bëhet shërbëtor i armiqve më të mëdhenj të shqiptarëve në rajon, duke përçarë kështu vetë shqiptarët.

Ai duhet ta ketë të qartë, që akte të tilla janë të një rëndësie historike për shqiptarët, ndaj askush nuk ka të drejtë ta trajtojë këtë vendim si vendim personal, por si detyrim kombëtar, në kuptimin që vendimi për pjesëmarrjen në këtë aleancë nuk mund të jetë kurrë vetëm i një njeriu apo një force politike, por për të duhet të vendosin vetë shqiptarët.

Është kjo arsyeja që shqiptarët dhe Perëndimi ndjehen të tradhtuar nga ky proces, edhe pse ndonjë zyrtar në Bruksel apo SHBA, që e ka harruar investimin e madh të Perëndimit për fuqizimin e faktorit shqiptar bashkë me gjakun e derdhur për Kosovën dhe bën lojën e Moskës, mund ta sodisë dhe japë mbështetjen i pashqetësuar për këtë proces.

Por, të gjithë duhet ta dinë se shqiptarët nuk kanë dy apo tre alternativa të tjera, siç fjala vjen ka Serbia apo dhe Maqedonia. Shqiptarët nuk kanë alternativë tjetër përveç Perëndimit dhe çdokush që është përpjekur për ta devijuar rrugën e shqiptarëve, ka përfunduar i tërhequr zvarrë në koshin e plehrave të këtij kombi.

Artikulli paraprakReforma Zgjedhore/ Opozita vazhdon punën për të pasur gati Platformën dhe zgjidhjet ligjore
Artikulli tjetërLubonja: Rama po kap çdo institucion! Nuk ka ligjin mbi të gjithë, por partinë mbi të gjitha