Interesat e depozitave në rënie të lirë, 250 milionë euro nxirren jashtë bankave

Nëse do të vendosësh sot kursimet në një bankë, sidomos shuma të vogla, avantazhi më i madh që ke është se i ke të sigurta. Sa për interesat e depozitave, ato janë aq të ulëta, sa fitimi është i papërfillshëm. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në qershor, interesat e depozitave shënuan një tjetër rënie. Për kursimet me afat 1-vjeçar, norma mesatare e kthimit ishte vetëm 0.73% në qershor, nga 0.84% muajin e mëparshëm. Në qershor të një viti më parë, kthimi mesatar ishte 1.45%.

Depozitat njëvjeçare kishin qenë alternativa më e preferuar e kursimtarëve deri tani, por vitin e fundit ata kanë filluar mos t’i rinovojnë më kontratat kur u mbaron afati i maturimit. Statistikat tregojnë se depozitat në lekë me afat të individëve janë në trendin rënës prej shumë muajsh. Maksimumi i interesit vjetor që sot mund të marrësh në një bankë është rreth 3%, por për këtë duhet t’i mbyllësh kursimet për 5 vjet. Në qershor 2016, depozitat me afat në lekë të individëve ishin 311 miliardë lekë, me një rënie prej 10% me bazë vjetore. Në vlerë absolute në një vit janë tërhequr nga bankat 250 milionë euro.

Ulja e kthimit nga depozitat është arsyeja kryesore e mungesës së interesit të depozituesve për të lënë paratë në banka. Kjo rënie e fitimeve nga depozitat ka ardhur si rrjedhojë e politikës lehtësuese monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që ka ulur 15 herë normën bazë (që shërben si refencë në treg) nga shtatori 2011, duke e zbritur nga 5.25% në 1.25% aktualisht. Individët kanë reaguar duke zhvendosur kursimet në depozita më afatgjata (mbi 2-vjeçare), duke iu drejtuar fondeve të investimeve apo dhe alternativave më pak të kontrolluara si bursat online apo dhënien e parave me fajde.

Bankat transferojnë fondet jashtë

Masat e vendosura nga Banka e Shqipërisë për të frenuar investimet e bankave private jashtë vendit duket se nuk po arrijnë të përmbajnë plotësisht flukset dalëse të kapitalit. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit maj, investimet e bankave jashtë arritën në 324.6 miliardë lekë nga 307 miliardë lekë që ishin në maj të vitit të kaluar. Rritja është 5.7 për qind. Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash rregullatore për të dekurajuar daljen e kapitaleve jashtë vendit, duke i ponderuar ato si aktive me rrezik.

Këto masa kundër ciklike detyrojnë bankat që i investojnë fondet jashtë të shtojnë kapitalin. Ndërsa për ato banka që rrisin kredinë për tregun e brendshëm kërkohet më pak kapital. Por edhe pse kanë frenuar ritmet e rritjes, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk kanë mundur të ndalojnë plotësisht daljen e kapitalit jashtë. Bankat private duket se nuk shohin alternativa investimi në tregun e brendshëm dhe preferojnë që fondet e tyre t’i çojnë jashtë, qoftë si depozita pranë mëmave të tyre apo dhe si investime të tjera. Ekspertët thonë se transferimi i fondeve jashtë, ka të bëjë me rrezikun e lartë që perceptojnë bankat në tregun vendas. Rritja e kredive të këqija, por edhe ngadalësimi i ekonomisë, sipas tyre, bëjnë që bankat të preferojnë më shumë investimet jashtë, ku kanë një rrezik më të ulët. Kjo është konfirmuar tashmë edhe nga të dhënat e kreditimit të ekonomisë, kanali kryesor i investimeve të bankave. Edhe pse kriza tashmë e ka kaluar kulmin e saj kredia jo vetëm që nuk po rritet, por përkundrazi ka rënë me 1.6 për qind krahasuar me një vit më parë.

 

Artikulli paraprakPlantacionet me drogë në vendlindjen e Tahirit
Artikulli tjetërAntimafia italiane zbulon rrugët e drogës së Tahirit