Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë më të varfrit në rajon dhe Evropë. Por, kjo nuk ka ndikuar që kosovarët të ndalin luksin. Vetëm për duhan sivjet qytetarët e Kosovës kanë djegur mbi 200 milionë euro.
Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se nga janari e deri në muajin tetor të këtij viti, në Kosovë u shkrinë mbi 208 milionë euro për 2 milionë 400 mijë kilogram duhan.
Nga gjithsej 208 milionë euro, 55 milionë është vlera e duhanit, kurse 153 milionë janë paguar taksa për shtetin.
“Deri tani për këtë vit kemi rreth 2400 ton import të duhanit me një vlerë totale prej 55 milionë euro. Për gjithë këtë duhan janë paguar taksa (të gjitha taksat) 153 milionë euro”.
Sipas Doganës çdo vit vërehet një trend i rritjes së shpenzimeve të parasë për duhan, i cili kryesisht importohet nga vendet evropiane.
Akciza për duhanin në Kosovë është rritur dhe vazhdon të rritet thuajse çdo vit.
Prej 27 euro sa ka qenë në vitin 2012 për një kilogram cigare, akciza arriti në 41 euro në vitin 2016 dhe në vitin 2018 është ngritur në 43 euro.
Gjithë këto të dhëna janë tregues se Kosova ka dështuar në ‘luftën’ kundër duhanit. Edhe pse qysh në vitin 2013 në Kosovë hyri në fuqi Ligji për ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike, ky ligj vazhdon të mos respektohet në tërësi.
Bazuar në hulumtimet e bëra më parë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se janë mbi 500 mijë njerëz në Kosovë që e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.
Madje, thuhet se kohën e fundit edhe numri i të rinjve që konsumojnë duhan është i madh dhe në rritje.
E sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbetjet e duhanit përmbajnë mbi 7 mijë lëndë kimike toksike që helmojnë mjedisin, përfshirë këtu lëndë që shkaktojnë kancerin.
Sipas OBSH-së, nga viti 2020 deri në vitin 2030, në tërë botën do të vdesin 30 milionë njerëz nga dëmet që shkakton duhani.