Partia Demokratike kallzoi penalisht në prokurori dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj banorëve të Unazës së Re, mëngjesin e së martës.
Në kallëzimin penal të PD-së, veç zinxhirit komanues të Policisë së Shtetit, dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, përfshihet edhe kreu I Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Dallëndyshe Bici, drejtoresha e IKMT-së.
Kallzimi i PD-së ka të bëjë jo vetëm me dhunën ndaj banorëve por edhe me shembjen e shtëpive të tyre.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, thotë se në rastin konkret janë shkelur të drejtat civile dhe kushtetuese të qytetarëve.
Ai tha se është shkelur e drejta kushtetuese e të drejtës së pronës dhe të banesës.
“Nuk mund të shkelësh pronën dhe banesën e çdo qytetari nga ora 22:00 deri 07:00 të mëngjesit”, tha Gjata.
Po kështu ai shtoi se nuk është respektuar e drejta civile, pasi kanë kaluar 20 vjet, që këta persona jetojnë aty dhe janë sjellë si pronarë.
Gjata tha se me dhunën e terrorin e ushtruar është shkelur ligji për Policinë e Shtetit, por edhe një seri vendimesh.
“Metodat e dhunshme të përdorura tre ditë më parë janë në kundërshtim flagrant me ligjet. Lidhur me këtë situatë janë në shpërdorim detyre nga ministri te ai që e ka përdorur gazin lotsjellës”, tha Gjata.
Kallëzimi penal u depozitua mesditën e së premtes nga ish-deputeti Klevis Balliu dhe Sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata.