Gjykata Kushtetuese ka reaguar zyrtarisht për situatën në të cilën ndodhet, pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj duke sqaruar opinionin se njeh si gjyqtare te Gjyaktës Kushtetuese, tre anëtarët që u betuan tek Presidenti.
Sipas Gjykatës ‘është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës’.
Një ditë më parë tek presidenti Ilir Meta janë betuar tre anëtaret e reja, Elsa Toska, Fiona Papagjoni dhe Marsida Xhaferrllari.
Njoftim për median:
Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.
Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.
Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj.
Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.
Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.
Gjykata thotë se emrat që plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e kësaj Gjykate Kushtetuese janë; Vitore Tusha, Besnik Muçi, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji. Në listë mungon emiri i gjyqtares, Vorpsi.