Shkrimtari i njohur, Kim Mehmeti, i ftuar në Syri TV ka komentuar aktualitetin në Shqipëri, por edhe në rajon. Sa i përket projektit të Mini-Schengenit Ballkanik, Mehmeti e quajti një akt anti-shqiptar, që faktorizon Serbinë në rajon.
“Ti nuk mund ta ndërtosh miqësinë me ata që kanë dalë nga kapota e Millosheviçit, e që nuk kërkojnë falje. Nuk mund të bësh miqësi me dikë që edhe Srebrenicën, që e njeh gjithë bota si gjenocid, ata nmuk e quajnë të tillë. E ti me ata, ulesh, e ndërton Ballkanin pa kufi. Me atë që punojnë natë e ditë kundër njohjes së Kosovës.
Çfarë bën ti me këtë? E faktorizon Serbinë si shtet kyç në Ballkan, e faktorizon si paqedashës në Ballkan. Nuk i ndihmon as shqiptarët në Shqipëri, as në Kosovë, as në Maqedoni e as në Luginën e Preshevës. E shihni çfarë politike anti-shqiptare po bëni?”, u shpreh Mehmeti.
“Kur jam marrë unë me Ballkanin pa kufi, Edi Rama as që e dinte që në Maqedoni ka shqiptarë. Por unë isha për një Ballkan me Tiranën kryeqytet, jo me Beogradin”, shtoi publicisti Mehmeti.
Për hir të ‘vëllazërisë’ me Serbinë, Rama i gatshëm të heqë dorë edhe nga njohja e Kosovës
Gjatë intervistës së tij, dhënë për Syri TV, analisti dhe publicisti i njohur Kim Mehmeti, foli me tone të ashpra në adresë të kryeministrit Edi Rama sa i përket projektit për “Mini Schengenin Ballkanik”.
Sipas tij, ky projekt është jo vetëm pervers, por edhe cënues për interesat kombëtare të shqiptarëve.
Mehmeti shtoi se, për të forcuar vëllazërinë shqiptaro-serbe, kryeministri Rama është i gatshëm të heqë dorë edhe nga njohja e pavarësisë së Kosovës, siç po ndodh me disa shtete pas lobimit të Beogradit.
“Ti ulesh ndërton Ballkanin pa kufij, me atë, që natë e ditë punojnë kundër njohjes së Kosovës. Që natë e ditë punojnë për të gjetur shtete për të hequr njohjen e Kosovës. Ti me këta njerëz, me atë që ulesh ballë për ballë, me ata do të bësh min-schengenin, ti në të vërtetë çfarë bën? Ti e faktorizon Serbinë si faktorin kyç në Ballkan. Ti ata njerëz, që kanë të kaluar të errët, i faktorizon si paqendërtues.
Po a nuk është ky mëkat i mjaftueshëm ? A nuk është kjo arsye e mjaftueshme ta kuptosh çfarë politike perverse je duke bërë? Dhe çfarë politike, që nuk ka lidhje me interesin kombëtar je duke bërë? Se me këtë nuk i ndihmon as shqiptarët në Preshevë, as shqiptarët në Kosovë, nuk i ndihmon as shqiptarët në Maqedoni.
Ju faktorizoni njerëz që e luftojnë shqiptarinë, i faktorizoni si diçka shumë e rëndësishme edhe për shqiptarinë. Unë e dëgjova kryeministrinë kur tha: “Po si do i shlyejmë ne kufijtë Nëse i kundërshton Serbia?”. Po Serbia kundërshton gjithçka. Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës. Hajde të heqim dorë edhe nga pavarësia e Kosovës.
T’ja plotësojmë dëshirën. Siç po shkojnë punët, mua nuk më habit fare, nëse një ditë, kryeministri i Shqipërisë, që ti përmirësojë marrëdhëniet, që të forcojë vëllazërinë serbo-shqiptare, mos e dhëntë Zoti, të propozojë heqjen e njohjes së Kosovës. Nëse shkohet me këtë mendësi perverse politike”, u shpreh ndër të tjera Kim Mehmeti. /Syri.net