“Monitor”
Partneritetet Publike-Private, të njohura si PPP-të, apo koncesionet, nuk janë shpikur në Shqipëri. Ato përdoren si një alternativë investimi, kur një shtet ka nevojë për investime të mëdha dhe nuk ka burimet e duhura për ta bërë këtë.
Projektet i merr përsipër t’i realizojë investitori privat dhe shlyerja bëhet në një afat relativisht të gjatë, që zakonisht përkon me një periudhë të përafërt me atë të shfrytëzimit të këtij investimi e që jo doemos duhet të jetë nga shteti apo taksapaguesit, por shumë më tepër nga përdoruesit e këtij investimi, për një periudhë disavjeçare.
Rreziku ndahet mes dy palëve. Nga ana tjetër, shteti vendos që një projekt të caktuar ta japë me PPP, kur vëren që ka prioritete të tjera më të rëndësishme për investimet e kryera me para publike dhe pasi është i bindur se ky investitor e realizues privat ka kapacitetet e duhura, ekonominë e shkallës dhe kapitalin e nevojshëm. E megjithatë, edhe vende të zhvilluara e kanë pasur të vështirë t’i kontrollojnë këto lloj partneritetesh.
Eurodad (Rrjeti Europian mbi Monitorimin e Borxhit) që përbëhet prej 47 organizatash të shoqërisë civile, nga 20 vende europiane, gjeti së fundmi nga një monitorim se projektet PPP po rezultojnë me kosto të larta për buxhetet publike dhe me një nivel të tepruar të rrezikut për sektorin publik dhe, për rrjedhojë, një barrë të rëndë për qytetarët.
Çdo PPP e studiuar ishte më e rrezikshme për shtetin, sesa për kompanitë private të përfshira, pasi sektori publik kërkohej të hynte dhe të merrte kostot kur gjërat nuk shkonin mirë. Edhe vende të zhvilluara nuk arrijnë t’i kontrollojnë ato. Në Suedi, kostoja totale e ndërtimit e spitalit të Nya Karolinska Solna (NKS) arriti nga 1.4 miliardë në 2.4 miliardë euro dhe tani njihet si “spitali më i shtrenjtë në botë”.
Në Shqipëri, çdo ditë e më shumë, po bëhet e qartë që kontratat PPP janë të hartuara keq, pa asnjë lloj studimi, me kosto të fryra që, për fat të keq, sa vijnë e po shtohen, me rrezikun që e merr të gjithë përsipër shteti.
Kostot po tejkalojnë çdo lloj parashikimi, ndërsa shteti po detyrohet të paguajë dhe për shërbimet që privati nuk i kryen, pasi në kontrata është parashikuar pagesa për një numër fiks shërbimesh, që i mundësojnë privatit të dalë me fitim. Vetëm për koncesionet e shëndetësisë, janë paguar 4 vitet e fundit rreth 10 milionë euro për shërbime të pakryera.
Të mjaftueshme këto për të ndërtuar nga e para një spital modest! Nëse nuk paguan, privatët nuk e kanë të vështirë të fitojnë gjyqet. Në rastin e koncesionit të sterilizimit, Ministria e Shëndetësisë u detyrua të kufizonte operacionet, sepse pagesat në vitin 2018 dolën përtej parashikimit dhe u tejkaluan me rreth 3.6 milionë euro (nga 17 mln euro që ishte kontrata vjetore).
Në buxhetin e vitit 2020, shpenzimet kapitale parashikohen me ulje 4%, ndërsa pagesat koncesionare do të rriten me 16%! Këto pagesa kanë arritur në 30% të shpenzimeve kapitale me burime të brendshme dhe 17% të investimeve totale kapitale (një vit më parë, kjo peshë ishte rreth 13%).
Po ndodh ajo që pritej. Angazhimi në projektet koncesionare pa efektivitet po e detyron qeverinë të kufizojë shpenzimet e tjera kapitale (ndoshta edhe më të domosdoshme), në mënyrë që të ruajë ekuilibrat e buxhetit.
Transparenca mungon tërësisht. Projekti i Rrugës së Arbrit, me një të rënë të lapsit, u rrit me 45%, në 58 miliardë lekë, nga kontrata fillestare. Asnjë transparencë, pse, kur, dhe si u ndryshua kontrata.
Për projektin tjetër, atë të Milot – Balldren, do të paguajmë 17 milionë euro për kilometër, për një rrugë në mes të askundit, që nuk i sjell asnjë vlerë të shtuar ekonomisë, por kursen vetëm 5-10 minuta nga koha e shoferëve. Kostoja e projektit tjetër, Orikum – Dukat, u rrit me 23% në tabelat e buxhetit 2020, në raport me kontratën.
Kostot vetëm sa vijnë e shtohen përtej parashikimeve dhe, nëse vazhdohet me këto ritme, rrezikohet që të kalohet kufiri i pagesave prej 5% të të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm, përtej së cilës qeveria do të detyrohej të korrektonte të ardhurat, ku rruga më e shpejtë do të ishte rritja e taksave.
Projekti “One billion”, i trumbetuar me të madhe tre vjet më parë, që synonte të paktën ndërtimin e pesë akseve rrugore, përfshirë dhe Thumanë – Rrogozhinë, 150 shkollave, një spitali model në Fier etj., tashmë është “mbushur” vetëm me tre rrugë (Rruga e Abrit, Milot – Balldren dhe Orikum – Dukat). Një shpërdorim i paturpshëm ky i parave të taksapaguesve, që dekurajon bizneset dhe individët të jenë të përgjegjshëm në marrëdhëniet e tyre me shtetin.
Institucionet ndërkombëtare, të cilat kishin paralajmëruar që në fillim rreziqet që vinin nga angazhimi i lartë me PPP-të, tani po flasin hapur për pasojat dhe ndikimin negativ të tyre në rritjen ekonomike.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në raportin e saj të fundit, rendiste si një prej arsyeve të rishikimit në ulje të performancës ekonomike edhe “risqet e brendshme të lidhura me detyrimet e mundshme që rrjedhin nga programet e Partneriteteve Publike-Private, që u mungon transparenca dhe përgjegjshmëria”!