Rekord abonimesh

Juventus rekord abonimesh. Merkato voluminoze, afrimi i emrave të rëndësishëm, ka bërë që tifozët bardhezinj të ëndërrojnë këtë sezon. Dhe për të qenë pjesë e kësaj ëndrre, ata nuk dëshirojnë që të humbasin asnjë takim të vetëm të ekipit të tyre. Këtë fakt e vërteton dhe numri i abonimeve të kryera, 29.300. Rekord i kampionëve të Italisë, të cilët në krahasim me vitin e kaluar kanë shtuar numrin e abonimeve, duke ruajtur dhe një numër të konsiderueshëm biletash për duelet më të rëndësishme. Një gjë është e sigurt ashtu si dhe sezonet e kaluara stadiumi i “Zonjës se Vjetër” do të jetë i stërmbushur dhe lojtari i 12 që janë tifozët, do të jenë aty për t’i dhënë mbështetjen e tyre skuadrës së zemrës.
Për takimin e parë në kampionat kundër Fiorentinës, Juventusi ka nisur shitjen e biletave që në ditët e fundit të korrikut, pasi përballja kundër toskanëve ka një shije të veçantë për skuadrën torineze për shkak të rivalitetit gjatë dekadave të fundit. “Juventus Stadium” ka rezultuar një minierë ari për shoqërinë bardhezi që gjatë viteve të fundit ka rritur ndjeshëm shumën e arkëtuar nga tifozët, të cilët kanë arritur të plotësojnë pritshmëritë, duke mbushur kapacitetin e kompleksit në pjesën dërrmuese të ndeshjeve.
Ndërkohë, Marc Verratti rinovon kontratën me Paris Saint Germain, duke i mbyllur derën Realit të Madridit që gjatë muajve të fundit kishte shfaqur interes konkret për mesfushorin. Lajmin e bën të ditur agjenti i lojtarit, Donato Di Campli, i cili shprehet se dëshira e vetme e Verratit ishte ta vazhdonte karrierën në Paris, pasi mesfushori dëshiron të ngjitet në majën e Europës me klubin francez. Italiani u bashkua me Paris Saint Germain në vitin 2012 dhe që prej asaj periudhe ai arriti të fitonte besimin e trajnerëve, duke u rreshtuar titullar në mesfushë.
Brenda 4 viteve në Paris, ai e ka rinovuar kontratën po kaq herë për shkak të sinjaleve që kanë ardhur në Paris nga disa prej klubeve më të pasura të planetit, por dëshira e presidentit Al Khelaifi për ta mbajtur në Paris, ka bërë që mesfushori 23-vjeçar të refuzojë çdo ofertë. Verrati e nisi karrierën te Paris Saint Germain me rreth 800 mijë euro në sezon, por tashmë ai do të përfitojë 10-fish më shumë, duke u bërë një nga lojtarët më të paguar në Ligue 1. Lojtari italian nuk ishte pjesë e Kombëtares së Katër në Euro 2016 për shkak të një dëmtimi, por ai pritet të jetë gati për t’u rikthyer në fushën e blertë në fillimin e këtij sezoni.

Artikulli paraprakSalzburgu në kaos, Partizani duhet të përfitojë
Artikulli tjetërNantes e konfirmon: “Cana nuk kthehet”!