Sipas dokumenteve, tenderi do të zhvillohet në 17 gusht, ndërsa kohëzgjatja e punimeve është parashikuar 12 muaj
Mania jo vetëm për të vjedhur dhe zhvatur fondet publike por edhe për ti krijuar kushte të rehatshme vetes në institucionet ku vjedhin përfshin të gjitha institucionet.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të shpenzojë 152.4 milionë lekë ose rreth 1.3 milionë dollarë për rikonstruksionin e zyrave të saj qendrore. Tenderi është shpallur në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik. “Fondi limit është 152,4 milionë lekë pa TVSH, të vëna në dispozicion nga të ardhurat e vetë KESH sh.a,” thuhet në njoftim. Sipas dokumenteve, tenderi do të zhvillohet në 17 gusht, ndërsa kohëzgjatja e punimeve është parashikuar 12 muaj.
Shpenzime për rikonstruksione zyrash po marrin një pjesë të madhe nga paratë e taksapaguesve. Ndryshe nga vitet e kaluara kur investimet publike në pjesën dërrmuese, financonin rrugë, shkolla apo ujësjellësa në dobi të publikut këtë vit shumë prej tyre janë të padukshme për qytetarët dhe të dukshme për pushtetarët. Dëshmia më e qartë për këtë janë krahasimi i investimeve që shkojnë në ndërtim rrugësh apo ujësjellësish. Sipas të dhënave zyrtare të vetë qeverisë, nëse vitin e kaluar investimet në rrugë dhe ujësjellësa ishin 35.5 miliardë lekë, për këtë vit ato do të jenë vetëm 19.8 miliardë lekë ose gati dy herë më pak.
Rikonstruksioni i zyrave të KESH nuk është një rast i izoluar, por tendencë. Pak ditë më parë, një tjetër institucion shtetëror, Ministria e Financave, lajmëroi një tender plot 125 milionë lekë për të rikonstruktuar godinën e saj qendrore. Në listën e detajuar të investime publike, që do të financojë buxheti për vitin e ardhshëm, zëri rikonstruksion godine haset plot 45 herë. Thuajse çdo institucion publik, Ministri apo agjenci qeveritare vitin tjetër ka parashikuar të rikonstruktojë godinën dhe sipas listës, rezulton se dhjetëra milionë dollarë nga paratë e qytetarëve në 2016-ën do të shkojnë për këtë qëllim jo për rrugë, shkolla apo spitale.