Michel Houellebecq
Me sinqeritetin më të plotë, më pëlqejnë shumë amerikanët. Kam takuar shumë njerëz të mrekullueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe solidarizohem me turpin që shumë amerikanë (dhe jo vetëm “intelektualët e Nju Jorkut”) e ndiejnë që kanë udhëheqës një kloun kaq të keq.
Michel Houellebecq*
Megjithatë, më duhet të kërkoj nga ju – dhe e di që ajo që po e kërkoj nuk është e lehtë për ju – që t’i vlerësoni gjërat për një çast nga një këndvështrim jo-amerikan. Nuk dua të them “nga një këndvështrim francez”, që do të ishte e tepërt; le të themi “nga këndvështrimi i pjesës tjetër të botës”.
Në shumë raste kur jam pyetur për zgjedhjen e Donald Trump-it, jam përgjigjur se nuk mërzitem fare. Franca nuk është Ëyoming apo Arkansas. Franca është një shtet i pavarur, pak a shumë, dhe do të bëhet plotësisht e pavarur edhe një herë, kur Bashkimi Evropian të shpërbëhet (sa më shpejt, aq më mirë).
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë më fuqia e parë në botë. Kanë qenë për një kohë të gjatë, pothuajse përgjatë tërë shekullit të njëzetë. S’janë më.
Ato mbeten një fuqi e rëndësishme, një në mesin e disave.
Ky nuk është doemos lajm i keq për amerikanët.
Është lajm shumë i mirë për pjesën tjetër të botës.
Përgjigjja ime është paksa e zmadhuar. Të gjithë e kanë një detyrim të vazhdueshëm për të pasur një dromcë interesimi për jetën politike amerikane. Shtetet e Bashkuara janë ende fuqia e parë ushtarake në botë dhe, për fat të keq, ende nuk e kanë prishur shprehinë e rritjes së ndërhyrjeve përtej kufijve të vet.
Nuk jam historian dhe nuk di shumë për historinë e lashtë – për shembull, nuk di nëse Kennedy apo Johnson-i kishin më shumë faj për çështjen e tmerrshme të Vietnamit – por kam përshtypjen se ka kaluar kohë goxha e gjatë prej kohës kur Shtetet e Bashkuara e kanë fituar një luftë për herë të fundit dhe kjo për së paku pesëdhjetë vjet të ndërhyrjeve ushtarake në botë, të njohura apo klandestine, nuk ka qenë asgjë tjetër, pos vazhdimësi e turpeve që kanë përfunduar si dështime.
Ajo që bie në sy më së shumti në politikat e reja amerikane është qartazi pozicioni i vendit në tregti dhe në këtë rast presidenti Trump ka qenë si një marrje e shëndetshme e ajrit të freskët. Ju keni arritur rezultat të mirë në zgjedhjen e një presidenti me prejardhje nga ajo që quhet “shoqëri civile”.
Presidenti Trump prish traktate dhe marrëveshje tregtare kur mendon se nënshkrimi i tyre ka qenë i gabuar. Ai ka të drejtë për këtë. Liderët duhet të dinë si ta përdorin periudhën kalimtare dhe të tërhiqen nga marrëveshjet e këqija.
Ndryshe nga liberalët e tregut të lirë (të cilët janë, në mënyrën e tyre, aq fanatikë sa komunistët), presidenti Trump nuk e vlerëson tregtinë e lirë botërore si gjithçka për përparimin e njerëzimit. Kur tregtia e lirë është në të mirë të interesave amerikane, presidenti Trump e përkrah tregtinë e lirë. Në rast të kundërt, ai i cilëson si të duhura masat mbrojtëse të dala jashtë modës.
Presidenti Trump është zgjedhur që t’i mbrojë interesat e punëtorëve amerikanë. Ai po i mbron interesat e punëtorëve amerikanë. Gjatë pesëdhjetë vjetëve të kaluar në Francë, të gjithë do të donin të kishin këso lloj qasjeje më shpesh.
Presidentit Trump nuk i pëlqen Bashkimi Evropian. Ai mendon se ne nuk kemi shumë gjëra të përbashkëta, e sidomos jo “vlerat”. Unë këtë e quaj fat të mirë, sepse, cilat vlera? “Të drejtat e njeriut”? Seriozisht?
Ai më parë do të zhvillonte bisedime në mënyrë të drejtpërdrejtë me shtetet veç e veç dhe unë besoj se kjo do të ishte në të vërtetë më e pëlqyeshme. Unë nuk mendoj se ajo fuqi rrjedh doemos nga bashkimi.
Unë besoj që ne në Evropë nuk kemi as gjuhë të përbashkët, as vlera të përbashkëta, as interesa të përbashkëta, me një fjalë, Evropa nuk ekziston dhe se ajo kurrë nuk do të përbëhet nga një popull i vetëm ose nuk do të përkrahë një demokraci të mundshme, thjesht sepse ajo nuk dëshiron të përbëhet nga një popull.
Thënë shkurt, Evropa është vetëm një ide memece që me kalimin e kohës është shndërruar në një ëndërr të keqe, nga e cila ne përfundimisht duhet të zgjohemi.
Dhe në shpresat e tij për “Shtetet e Bashkuara të Evropës”, një referencë e qartë ndaj Shteteve të Bashkuara, Viktor Hygoi vetëm e ka dhënë një dëshmi të mëtejme të madhështisë dhe marrëzisë së tij; gjithmonë më bën pak mirë që ta kritikoj Viktor Hygonë.
Në mënyrë mjaft të logjikshme, presidenti Trump qe i kënaqur për Brexit-in. Në mënyrë mjaft të logjikshme, njësoj qeshë edhe unë; keqardhja ime e vetme qe që britanikët edhe një herë tjetër u treguan më të guximshëm se ne përballë mbretërisë. Britanikët më nevrikosin, por guximi i tyre nuk mund të mohohet.
Presidenti Trump nuk e cilëson Vladimir Putin-in si partner të padenjë për bisedime; as unë nuk e cilësoj të tillë.
Nuk besoj që Rusisë i është caktuar roli i udhëzueses së përgjithshme të tërë njerëzimit – admirimi im për Dostoevsky-n nuk shkon aq larg – por e vlerësoj qëndrueshmërinë e e ortodoksisë në tokat e veta, mendoj se Katolicizmi do të bënte mirë që të frymëzohet nga ajo.
Duket se presidenti Trump ka arritur ta zbusë njeriun e zemëruar të Koresë Veriore. Kjo sfidë më duket me klasë.
Duket se presidenti Trump së voni deklaroi: “A e dini çfarë jam unë? Unë jam nacionalist!” Edhe unë gjithashtu, saktësisht i tillë. Nacionalistët mund të bisedojnë me njëri-tjetrin; internacionalistëve, mjaft çuditërisht, bisedimet nuk iu shkojnë shumë mirë.
Franca duhet të largohet nga NATO-ja, por një hap i tillë ndoshta do të jetë i pakuptimtë, nëse mungesa e fondeve operacionale bën që NATO-ja të zhduket vetiu. Kjo do të ishte një brengë më pak dhe një arsye e re për t’ia kënduar këngën e lavdisë presidentit Trump.
Në përfundim, presidenti Trump mua më duket si njëri ndër presidentët më të mirë amerikanë që kam parë ndonjëherë. /Përktheu: Nasuf Abdyli
*Michel Houellebecq është shkrimtar francez. Ai merret edhe me aktrim, prodhim të filmave dhe këndim.