Një vit nga taksa 100 për qind, Serbia humb 99 për qind të tregut të Kosovës

Nga vendosja e tarifës doganore prej 100 për qind nga ana e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka pasur rënie të importit nga këto dy vende.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë që nga vendosja e tarifës 100 për qind, Serbia ka eksportuar 430 milionë euro mallra më pakë në drejtim të vendit tonë. Berisha ka shpjeguar se importi i mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është zëvendësuar nga vendet e rajonit apo të Bashkimit Evropian.

“Dogana që me marrjen e vendimit e ka zbatuar 100 për qind, jemi të obliguar ta zbatojmë. Fillimisht në fund vitin e kaluar ka ndikuar pak në të hyrat doganore, për arsye deri sa është stabilizuar komuniteti i biznesit, pra kanalet e reja të biznesit, furnizimet e reja.

Nëse marrim vitin 2019, kjo nuk ka ndikuar për arsye se importi i atyre produkteve të cilat kanë ardhur nga këto dy vende janë zëvendësuar nga vendet e rajonit apo qoftë nga vendet tjera të BE-së”, shpjegon Berisha.

Ai thotë se Serbia pas vendosjes së tarifës ka importuar 99 për qind më pak mallra në drejtim të Kosovës.

“Në këtë vit, deri sa po flasim, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ku nuk kanë qenë masat në fuqi, ne kemi diku 367 milionë euro më pakë import nga Serbia për këta dhjetëmujorë të këtij viti, nëse kësaj ia shtojmë edhe 62 milionë euro që ka qenë në fund të vitit [2018] tregon se jemi diku 430 milionë euro vlerë të importit më pakë.

Nëse e kthejmë në përqindje, kjo tregon se diku jemi 99 për qind kemi pasur më pak import nga Serbia. E njëjta vlen edhe me Bosnjën e Hercegovinën, ku në baza vjetore ka qenë rreth 80 milionë euro që është importuar, deri sa do të thotë se për këta dhjetë muaj i kemi 65 milionë euro më pakë importe, ose mund të themi se i kemi vetëm dy milionë import, apo për dhjetë muaj i kemi pasur vetëm tre milionë nga Bosnja e Hercegovina”, thotë ai.

Përfaqësues të biznesit thonë se vendosja e tarifës 100 për qind e ka qenë pozitive dhe se kjo duhet të kthehet në reciprocitet. Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, për Telegrafin ka thënë se me reciprocitet Kosova përfiton më shumë edhe në aspektin ndërkombëtar.\

“Ne mendojmë që kjo tash e tutje duhet të kaloj në reciprocitet e jo në taksë, sepse është duke e dëmtuar [Kosovën] edhe në aspektin ndërkombëtar, kështu që me reciprocitet Kosova përfiton shumë më shumë, ndërkohë që me Serbinë të krijojmë një bllokadë afatgjate sepse kjo nuk i njeh produktet e institucioneve tona”, tha Krasniqi.
Ai ka shtuar se shumë produkte serbe [dhe boshnjake] janë zëvendësuar me produkte nga BE-ja dhe rajoni.

“Në bazë të analizave që i kemi bërë si Odë e Afarizmit, kemi ardhur në përfundim se efekti i tarifës 100 për qind ka qenë pozitiv dhe me këtë qytetarët dhe biznesi e kanë parë që munden pa produktet serbe.

Produktet serbe janë zëvendësuar me produktet më të mira të Bashkimit Evropian edhe të rajonit, kjo ka kontribuar në kualitetin më të mirë, sepse produktet serbe gjithmonë kanë qenë të rrezikshme sipas analizave nga kanë ardhur”, u shpreh ai.

Ndërsa, pronari i kompanisë Laberioni, Bashkim Osmani, e cila merret me prodhimin e lëngjeve, tha për Telegrafin se shumë biznese vendosjes së reciprocitetit e kanë kërkuar më herët.

“Ne që na viti 2013 kemi kërkuar reciprocitet në raport me Serbinë, ku kjo masë ka qenë e mirëseardhur. Në aspektin e industrisë ushqimore, Serbia e ka humbur tregun, në minimum 80 për qind.

Përveç reciprocitetit, ne duhet të kemi favore të tjera, bie fjala të favorizohemi në eksport, ku Serbia ka kushte më të mira, po flas në aspektin ekonomik apo në politikat fiskale”, tha Osmani.

Ai thekson se edhe pse tarifa e ka rritur koston, bizneset e kanë përballuar atë.
“Kemi kosto më të lartë por nuk do të thotë që na sjell problem, sepse ne qysh moti kemi kërkuar reciprocitet dhe të jemi të barabartë. Na ka rënduar në kuptimin e kostove dhe transportit, por jo edhe gjërave të tjera, por ne e kemi përballuar”, tha ai.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën janar-korrik 2018 dhe 2019, del se importi i produkteve serbe ka rënë në mënyrë të dukshme. Ndërsa, vlera e eksporteve nga Kosova në drejtim të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk ka pësuar shumë, shkruan Telegrafi.

Dogana thotë se importet nga Serbia për këtë periudhë për vitin 2018 ishin 177.8 milionë euro, kurse eksportet kosovare arritën në 16.8 milionë euro. “Në periudhën janar-korrik 2018, importet nga Serbia në drejtim të Kosovës ishin 177.81 milionë euro, kurse importet nga Bosnja e Hercegovina ishin 39.8 milionë euro.

Për sa i përket eksporteve të produkteve vendore në drejtim të Serbisë për këtë kohë kanë arritur 16.8 milionë euro, ndërsa në drejtim të Bosnjës e Hercegovinë kjo vlerë ishte 4.6 milionë euro”, thuhet në raportin e Doganës për ndikimin e vendeve të CEFTA-së.
E, sipas Agjencisë së Statistikave gjatë muajit gusht të këtij viti eksportet kosovare janë rritur 4.7 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin gusht 2019 kishte vlerën 31.9 milionë euro, ndërsa importi 311.8 milionë euro, që është një rritje prej 4.7 për qind për eksport dhe një rritje prej 1.6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, thuhet në të dhënat e ASK-së për tregtinë e jashtme, përcjell Telegrafi.

Më 6 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria në largim e Kosovës vendosi taksën prej 10 për qind për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, kurse më 21 nëntor kjo taksë u ashpërsua më 100 për qind për të gjitha produktet dhe mallrat e importuara nga këto dy shtete.

Artikulli paraprakKryepleqtë marionetat e rilindjes, Vreto: Grykësi për të uzurpuar territore dhe për të gllabëruar gjithçka…
Artikulli tjetërDhjetëra milionë euro, shifra e çmendur që i kushtoi Totenhamit shkarkimi i Poketinos