Jo vetëm rritje çmimesh, qytetarët të pambrojtur nga abuzimet me mallrat e konsumit

Mbrojtja e konsumatorëve shqiptarë nga abuzimet me peshën dhe matjen nuk është në nivelin e kërkuar bashkëkohor. Një inspektim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë (DPM) tregon se institucioni ka shfaqur mangësi për shkak të kuadrit rregullator të papërputhur plotësisht me direktivat e BE-së dhe të paharmonizuar mirë me aktet e tjera ligjore e nënligjore, nga menaxhimi joeficient dhe joefektiv i burimeve njerëzore dhe nga mospërfshirja në verifikimin e instrumenteve matës të fushave me rëndësi jetike për popullsinë, si atë të shëndetësisë, mjedisit, komunikimit telefonik, sigurisë publike etj.

KLSH vëren se Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë vuan nga mungesa e bashkëpunimit me institucionet e tjera publike për përfshirjen në verifikim të të gjithë subjekteve me instrumente matës në përdorim, nga problematikat e licencimit, monitorimit dhe inspektimit të personave të autorizuar në fushën e matësve të energjisë elektrike dhe të ujit; nga veprimtaria inspektuese jo e qëndrueshme, si dhe nga mangësitë e konstatuara në fushën e kryerjes së investimeve dhe përdorimit të aseteve.

Në fund të vitit 2015 rezulton se në DPM janë 8 vende pune të paplotësuar për një periudhë kohore përgjithësisht rreth 2 vjet, megjithëse janë zhvilluar procedura konkurrimi nga ana e DAP, më e ndjeshme kjo në veprimtarinë verifikuese, pasi mungojnë 3 metrologë të autorizuar (5% e numrit gjithsej).

Drejtorët e Përgjithshëm të DPM nuk kanë miratuar kritere për punësimin e punonjësve në përputhje me vendet e punës, duke vepruar në kundërshtim me rregulloren e brendshme të DPM-së së paku deri në tetor të vitit 2014, pas të cilit i janë nënshtruar procedurave të rekrutimit të nëpunësit në shërbimin civil.

KLSH vëren se, metrologët e autorizuar në DPM nuk janë sipas kërkesave ligjore lidhur me profesionin dhe eksperiencën në punë, pasi në fund të vitit 2015, rezultojnë të jenë inxhinierë dhe matematicienë e kimistë vetëm 16 prej tyre ose 30% që plotësojnë këto kërkesa.

Në inspektorët metrologë vetëm 1 është me profesionin inxhinier elektrik dhe në pjesën më të madhe prej 60% janë me profesionin e juristit (5) dhe atë të ekonomistit (4), por që nuk mungojnë dhe me shkollë profesionale shkenca politike, histori/gjeografi, teknologji bujqësore etj.

KLSH këshillon DPM–në të marrë masat e nevojshme që nëpërmjet DAP-it të plotësojë vendet e punës me specialistë të profilit, duke vendosur kriteret përkatëse sipas kërkesave ligjore, me përparësi plotësimin e metrologëve të autorizuar, e lidhur kjo me veprimtarinë verifikuese të instrumenteve matës në terren.

Sipas raportit të KLSH nuk janë përfshirë dhe rrjedhimisht mbuluar nga verifikimi metrologjik fusha kryesore ku përdorimi i instrumenteve ka ndikim të konsiderueshëm dhe të vlerësuara me risk nga BE dhe organizatat ndërkombëtare të metrologjisë në mbrojtjen e konsumatorit si: në aparaturat mjekësore, ato për vlerësimet e ndotjes së mjedisit, sigurinë publike, kohët bisedore etj.

Gjithashtu DPM nuk ka kontrolluar (inspektuar) herë pas here veprimtarinë e personave juridikë dhe fizikë të autorizuar, për pasojë nuk është në gjendje të japin përgjigje mbi cilësinë dhe saktësinë e matësve të energjisë elektrike dhe atyre të ujit të pijshëm, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet me matjet.

Në periudhën 2012-2015 konstatohet se komisioni i ankimit nuk ka hequr asnjë prej gjobave të vendosura, duke konfirmuar në këtë rast dhe veprimtarinë e inspektorëve, pavarësisht ndryshimit të bazës ligjore. Ndërsa në vitin 2011 janë “falur” nga DPM 8.2% e gjobave të pashoqëruara me asnjë masë disiplinore për inspektorët.

Janë ndëshkuar me gjobë një numër i vogël subjektesh, krahasuar me numrin e madh të inspektimeve dhe parregullsive të konstatuara: vetëm 0.65% e subjekteve; numri më i madh i 16 gjobave (130) është më 2013, si dhe numri më i vogël (10) është në vitin 2012, me prirje rënie nga 2013 e në vazhdim.

Në strukturën e subjekteve të gjobitura gjatë kohës tetor 2013-dhjetor 2015 rezulton se 74% e tyre u përkasin njësive të tregtimit të karburanteve (në pjesën më të madhe të të cilëve për shkaqe të furnizimit jashtë tolerancave ligjore), 15% e mungesës së peshës sipas etiketimit në subjektet e tregtimit të mallrave të parapaketuara, në vijim furrat e bukës, pikat e tregtimit të gazit etj.

Nga këto të dhëna vërehet se konsumatori goditet pikërisht në ato lloje transaksionesh tregtare të nevojës së parë siç është buka, karburanti, gazi etj.

Nga 270 gjobat e vendosura janë nxjerrë titujt ekzekutivë për 186 prej tyre (69%) dhe rezultojnë të përmbushura plotësisht dhe/ose pjesërisht 91 prej tyre. Pra, për këtë periudhë në çdo 3 gjoba të vendosura, DPM arrin të vjelë pjesërisht ose plotësisht vetëm një prej tyre brenda 5 vitesh.

KLSH rekomandon se inspektimi gjatë veprimtarisë së tij të rrisë forcën ndëshkuese me gjobë të subjekteve dhe të përmirësojë cilësinë e veprimtarisë së tij; të analizojë rastet e rrëzimit në gjykatë të masave ndëshkuese duke evidentuar përgjegjësitë; si dhe të zbatojë afatet optimale për të mbyllur plotësisht ciklin e gjobave, me qëllim maksimizimin efektit ligjor në rritjen e sigurisë së konsumatorëve për saktësinë e masave dhe peshave.

Rezulton se gjobat nuk kontabilizohen në DPM, pas lëshimit nga gjykata të titullit ekzekutiv, duke lënë hapësira për “humbjen” e tyre dhe mosndëshkimin e subjekteve ose më së paku humbjen e efektit ndëshkues për subjektin e kundërligjshëm, kur kalojnë periudha të gjata kohe.

Artikulli paraprakTragjedi, punimet në rrugë vrasin 4 të rinj në Velipojë
Artikulli tjetërReforma në Drejtësi dhe fshehja e së vërtetës