Haradinaj godet Ramën: Prej tij nuk po i hapen negociatat Shqipërisë. Të kallëzojë çka është duke i bërë Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç janë duke bërë përpjekje për të shtyrë përpara idenë e krijimit të një mini-shengeni ballkanik, që sipas tyre do të sillte përfitime për rajonin.

Megjithatë, në Kosovë një ide e tillë është totalisht e papranueshme.

Ishte Edi Rama, i cili pak ditë më parë tha se, Kosova po izolohet dhe vetëpërjashtohet, duke mos pranuar të bëhet pjesë e një projekti të tillë.

E këtyre deklaratave u ka dhënë përgjigje në mënyrë ironike kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili ka pyetur sot se ‘kush është kryeministri Rama t’i kallëzojë Kosovës çka është duke u bërë me Kosovën’.

‘Kush është kryeministri Rama t’i kallëzojë Kosovës çka bëhet me Kosovën. Le të kallëzojë ai qysh i ka mbajtë zgjedhjet veç një parti, nëse koka aq i mençur e po i ditka krejt punët e rajonit e Kosovës. Ai le të kallëzojë qysh veç një parti i mbajti zgjedhjet në Shqipëri. Shihni zgjedhjet në Kosovë, të gjitha partitë kanë marrë pjesë, askush s’e ka mohu rezultatin zgjedhor’, ka thënë sot Haradinaj.

Ndër të tjera Haradinaj tërthorazi e ka përmendur edhe skandalin e Ramës me hartën, ku Kosova shihej si pjesë e Serbisë.

Kreu i Qeverisë, gjithashtu, i ka dhënë përgjigje Ramës edhe për zhvillimet në Samitin e Berlinit.

Kryeministri i Shqipërisë në një intervistë në Opinion kishte thënë se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i kishte thënë Haradinajt në Berlin se nëse do ta hiqte taksën Kosova brenda 6 muajve do të merrte liberalizim të vizave.

Një gjë të tillë e ka demantuar sot Haradinaj, duke thënë se deklarata të tilla nuk qëndrojnë.

‘Nuk qëndron ajo që ka thënë ai, ato janë krejt pallavra. As kryeministri Macron as kancelarja Merkel nuk e kanë qitë në tavolinë, qe vizat, hiqe taksën. Unë i Kosovës jam, nëse i dhemb dikujt heqja e vizave nuk do ta pranoja atë. Nuk janë ata të tillë, janë shefa të shteteve, nuk punojnë ashtu, i kanë do formula, do kritere qysh bëhen këto punë’, ka potencuar Haradinaj.

Kryeministri në detyrë ka thënë se veprimeve të Edi Ramës po ua sheh sherrin edhe Kosova.

‘Nëse është kështu pse s’po ia japin negociatat z. Rama nëse qenka kaq i mençur. Dobësitë e tij po i bëjnë dëm edhe Kosovës, beso’, ka shtuar kreu i AAK-së.

Në fund teksa ka folur për idenë e prekjes së kufijve, Haradinaj ka thënë se një ide e tillë ka qenë vdekjeprurëse, të cilën është detyruar ta luftojë.

‘Hapja e bisedave për territoret ka qenë vdekjeprurëse ka qenë shkatërruese për mua për qeverinë. Jam detyruar me luftu kundër asaj ideje’, ka përfunduar Haradinaj.

Artikulli paraprakÇmendet Veliaj! Do të vendosë taksë edhe për të hyrë në Tiranë…
Artikulli tjetërBanditë me uniformë dhunojnë studentin që organizoi protestën një vit më parë, reagon Berisha (Video)